Shqipëria me mbi 1 milion automjete, Volkswagen dhe Mercedes “sundojnë” rrugët shqiptare

Shqipëria me mbi 1 milion automjete, Volkswagen…

Shqipëria ka kaluar për herë të parë pragun e 1 milion mjeteve rrugore të regjistruara. Sipas të dhënave për fundin e vitit 2025, në vend rezultonin 1.048 milion mjete me status aktiv ose të çregjistruara përkohësisht, duke shënuar një rritje prej 9.3% krahasuar me vitin 2024.

Autoveturat vazhdojnë të dominojnë parkun automobilistik, duke përfaqësuar 80.8% të totalit të mjeteve. Shtimi i tyre ka ndikuar edhe në rritjen e nivelit të motorizimit në vend. Gjatë vitit 2025 u regjistruan mesatarisht 361 autovetura për çdo 1,000 banorë, nga 326 që ishin një vit më parë.

Në aspektin territorial, qarku i Tiranës mban peshën kryesore të parkut rrugor, me 34.7% të të gjitha mjeteve të regjistruara. Pas tij renditen Durrësi me 13.6% dhe Fieri me 9.1%.

Megjithatë, kur llogaritja bëhet në raport me popullsinë, Durrësi rezulton qarku me nivelin më të lartë të motorizimit në vend. Aty numërohen 535 autovetura për çdo 1,000 banorë, dukshëm mbi mesataren kombëtare.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se parku automobilistik në Shqipëri mbetet relativisht i vjetër. Mbi gjysma e mjeteve (55.3%) janë prodhuar gjatë viteve 2000-2010, ndërsa 45.7% e autoveturave kanë një moshë nga 11 deri në 20 vjet.

Edhe pse automjetet me kambio automatike po fitojnë terren, ato me kambio manuale vijojnë të mbizotërojnë, duke përbërë 55.9% të totalit të mjeteve.

Për sa i përket markave më të përhapura, Volkswagen renditet në vendin e parë me 19.7% të autoveturave në qarkullim, ndërsa Mercedes-Benz mban vendin e dytë me 18.1%.

Nafta mbetet karburanti dominues për automjetet në Shqipëri. Në fund të vitit 2025, 72.1% e autoveturave funksiononin me naftë, çka tregon se kalimi drejt mjeteve më pak ndotëse po ecën ende me ritme të ngadalta.

Nga ana tjetër, segmenti i automjeteve elektrike po njeh zgjerim të shpejtë. Gjatë vitit 2025, numri i tyre u rrit me 91.2% krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar interesin në rritje për teknologjitë me emetime të ulëta.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit