Një fëmijë vetëm 1 vjeç është dërguar këtë të mërkurë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë, ku po vuan dënimin e ëma e tij, një 34-vjeçare e dënuar me dy muaj burg.
Gruaja u arrestua një ditë më parë në Pikën e Kalimit Kufitar të Murrqanit, teksa po kthehej nga Gjermania. Arrestimi u krye në zbatim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë, të dhënë në mungesë në vitin 2023, për veprën penale “Dhunë në familje”, lidhur me një konflikt me vjehrrin e saj.
Sipas familjarëve, 34-vjeçarja është nënë e tre fëmijëve të mitur. Fëmija 4-vjeçar vuan nga probleme shëndetësore, ndërsa një tjetër është 2 vjeç. Më i vogli, vetëm 1 vjeç, është sistemuar pranë nënës në ambientet e institucionit ku ajo po kryen dënimin.
Të afërmit e gruas pretendojnë se vjehrri e ka falur atë dhe se dënimi prej dy muajsh duhej të ishte përfshirë në përfitimet e ligjit për amnistinë. Megjithatë, autoritetet kanë zbatuar urdhrin për ekzekutimin e vendimit gjyqësor.
Aktualisht, 34-vjeçarja ndodhet në burgun e Pojskës, ku po vuan dënimin, ndërsa fëmija 1-vjeçar po qëndron me të, sipas rregullave të parashikuara për raste të tilla.
Gjatë ditës së sotme pritet që Avokati i Popullit të zhvillojë një vizitë në burgun e Pojskës, ku do të takohet me 34-vjeçaren për t’u njohur nga afër me rrethanat e çështjes, si edhe me kushtet në të cilat po qëndron fëmija i mitur së bashku me nënën e tij.