Platformat e kompanisë Meta, Facebook, Instagram dhe Messenger, po përballen me probleme funksionimi, duke prekur mijëra përdorues në vende të ndryshme të botës.
Që nga orët e mesditës, janë raportuar vështirësi në aksesimin e llogarive, ndërsa shumë përdorues kanë hasur probleme gjatë përdorimit të shërbimeve. Shqetësimet më të shumta lidhen me Messenger, ku raportohen vonesa dhe pamundësi për të dërguar mesazhe. Nga faqja e monitorimit “DownDetector”, numri i raportimeve për ndërprerje është rritur ndjeshëm gjatë orëve të fundit.
Deri më tani, Meta nuk ka reaguar zyrtarisht për të sqaruar shkakun e këtyre problemeve dhe nuk ka njoftuar se kur pritet rikthimi i plotë i funksionimit të platformave.
Ndërkohë, përdoruesit vazhdojnë të raportojnë ndërprerje të pjesshme dhe vështirësi në përdorimin e disa prej funksioneve kryesore të Facebook, Instagram dhe Messenger.