Policia blindon zonën e Parlamentit, qytetarët denoncojnë bllokimin e rrugëve: Nuk po shkojmë dot në punë

Policia blindon zonën e Parlamentit, qytetarët denoncojnë…

Masat e sigurisë të marra nga Policia e Shtetit për protestën e paralajmëruar para Parlamentit dhe zhvillimin e seancës së fundit plenare të këtij sesioni kanë sjellë kufizime të forta në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në qendër të Tiranës.

Që në orët e para të mëngjesit, efektivët kanë bllokuar hyrjet që të çojnë drejt godinës së Kuvendit, duke devijuar lëvizjen në disa akse kryesore. Situata ka krijuar vështirësi për qytetarët që po i drejtoheshin vendeve të punës, ndërsa shumë prej tyre raportojnë se janë detyruar të ndryshojnë disa herë itinerarin.

Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur denoncime nga qytetarë, të cilët pretendojnë se janë orientuar vazhdimisht nga një postbllok policie te tjetri, pa mundur të kalojnë drejt destinacionit.

“Na kanë bllokuar rrugën kryesore dhe nuk na lejojnë të kalojmë për të shkuar në punët tona. Te Xhamia na dërgojnë te Ura e Tabakëve, atje na kthejnë te Bashkia, më pas te Toptani. Po na sorollatin nga njëra anë në tjetrën dhe askush nuk na jep një zgjidhje,” shprehet një qytetar.

Bllokimet lidhen me masat e marra për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga organizatorët e tubimeve qytetare, e cila po zhvillohet paralelisht me seancën plenare të Kuvendit. Ndërkohë, qytetarët kërkojnë që organizimi i masave të sigurisë të mos pengojë lëvizjen normale të atyre që nuk janë pjesë e protestës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit