Sarandiotët paguajnë faturat, por s’kanë ujë: Blejnë autobote për të mbijetuar

Sarandiotët paguajnë faturat, por s’kanë ujë: Blejnë…

Banorët e lagjes “Kodër” në Sarandë denoncojnë se prej kohësh përballen me mungesë të vazhdueshme të furnizimit me ujë, ndërsa thonë se, pavarësisht ankesave të përsëritura, nuk kanë marrë asnjë zgjidhje nga institucionet përgjegjëse.

Sipas një qytetareje që iu drejtua redaksisë, situata është bërë e papërballueshme dhe po përsëritet vazhdimisht, duke i detyruar banorët të gjejnë zgjidhje me forcat e tyre.

“Jemi banorë të lagjes ‘Kodër’ në Sarandë dhe jemi pa ujë. Nuk dimë më si do të zgjidhet ky hall. Është e pamundur të jetojmë në këto kushte. Askush nuk na jep zgjidhje dhe askush nuk përgjigjet”, shprehet qytetarja.

Ajo tregon se banorët e pallatit kanë kontribuar financiarisht për të siguruar depozita dhe pompa uji, në mënyrë që të furnizohen sa herë që rrjeti ndërpret furnizimin. Për më tepër, ata detyrohen të blejnë edhe autobote me ujë, ndërkohë që vijojnë të paguajnë rregullisht faturat e ujësjellësit.

“Me iniciativën tonë kemi blerë depozita dhe pompa, ndërsa sa herë mbetemi pa ujë, paguajmë nga xhepi një bot me ujë. Ndërkohë, faturën e ujit jemi të detyruar ta paguajmë. Kjo nuk është as e drejtë dhe as normale”, thotë ajo.

Sipas banorëve, uji që sigurohet me autobot nuk është i pijshëm dhe mund të përdoret vetëm për nevoja higjieno-sanitare. Ata shtojnë se, pasi qëndron disa ditë në depozita, uji fillon të krijojë myk, duke ngritur shqetësime edhe për sigurinë e tij.

Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë për të garantuar furnizim të rregullt me ujë dhe për t’i dhënë fund një problematike që, sipas tyre, është kthyer në një shqetësim të përditshëm.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit