Seanca plenare u zhvillua mes tensioneve të forta politike, teksa deputetët e opozitës vijuan të bllokonin foltoren e Kuvendit në shenjë proteste.
Pavarësisht situatës në sallë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, pranoi kërkesën e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për të kaluar drejtpërdrejt në votimin e çështjeve të rendit të ditës, duke ndërprerë diskutimet.
Gjatë procesit të votimit, deputetët e opozitës qëndruan përpara foltores dhe goditën vazhdimisht tavolinat, duke krijuar zhurmë dhe kaos në sallën e Parlamentit.
Momenti më i tensionuar u regjistrua kur kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, së bashku me deputetin Kelvis Balliu, hodhën ujë në drejtim të kryeministrit Edi Rama.
Pas incidentit, Niko Peleshi njoftoi përjashtimin e Gazment Bardhit nga seanca. Megjithatë, tensionet nuk u ndalën, pasi deputeti demokrat reagoi duke hedhur edhe kartonët e votimit në drejtim të kryeministrit.
Mes zhurmës dhe protestës së opozitës, mazhoranca vijoi me votimin e pikave të rendit të ditës, ndërsa seanca u zhvillua në një atmosferë të ngarkuar me përplasje politike dhe incidente.