E trishtë: Shqiptarët u bënë bashkë për ta shpëtuar, por tumori i mori jetën vogëlushes 9-vjeçare

E trishtë: Shqiptarët u bënë bashkë për…

Një muaj më parë, historia e Sofisë së vogël preku zemrat e mijëra shqiptarëve. Pas apelit të publikuar nga JOQ Albania, qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora u bënë bashkë dhe brenda një kohe rekord arritën të grumbullonin shumën e nevojshme prej 35 mijë eurosh për kurimin e saj.

Sot, fatkeqësisht, ka mbërritur lajmi që askush nuk donte ta dëgjonte.

Sofia, e cila luftonte prej kohësh me një tumor malinj në kokë, nuk ia doli t’i mbijetojë sëmundjes. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur babai i saj, Gëzim Çuni, përmes një mesazhi prekës lamtumire.

“Me hidhërim të thellë në zemër dhe lot në sy njoftojmë humbjen e një engjëlli të vogël, Sofi Çuni, e cila na la në moshën 9-vjeçe. Një dritë që u fik shumë herët, por kujtimi i saj do të ndriçojë përgjithmonë në zemrat tona. Qofsh e bekuar, e vogla jonë, dhe prehu në paqe. Të dua pafund, Sofi.”

Një vit më parë, Sofi u diagnostikua me një tumor malinj në kokë dhe nisi një betejë të vështirë për jetën. Ajo po kurohej në Modena të Italisë, ndërsa familja kërkoi ndihmën e shqiptarëve për të përballuar kostot e trajtimit.

Më 23 qershor, JOQ Albania publikoi apelin për Sofinë dhe reagimi i shqiptarëve ishte i jashtëzakonshëm. Brenda një kohe shumë të shkurtër u mblodh shuma e nevojshme për trajtimin e saj, një tjetër dëshmi se solidariteti i shqiptarëve nuk mungon kur bëhet fjalë për të shpëtuar një jetë.

Edhe pse Sofi luftoi me guxim dhe mijëra njerëz u bënë pjesë e betejës së saj, sëmundja rezultoi më e fortë.

JOQ Albania i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Çuni. U prehtë në paqe, engjëlli i vogël.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit