Një aksident fatal automobilistik ka shënuar për sot edhe viktimën e dytë në liqenin e Kukësit.
Një kamion që drejtohej nga një 37-vjeçari me iniciale F.Ll., doli nga rruga dhe përfundoi sot pasdite në ujërat e liqenit të Fierzës në Kukës.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Ura e Kolshit.
Për gjetjen e trupit të drejtuesit të mjetit të tonazhit të rëndë, janë angazhuar polumbarët e forcave “RENEA”.
Në vendngjarje ndodhen efektivë të policisë, si dhe dhjetëra banorë të fshatit Kolsh si dhe nga Kukësi.
Polumbarët vazhdojnë kërkimin nën ujë. 37-vjeçari me gjithë kamionin është nën ujë në rreth 15 metra thellësi.
37-vjeçari ka qenë shofer i një firme ndërtimi. Ai ka lënë gruan dhe tre fëmijë të mitur.
Ky rast është viktima e dytë në liqen për ditën e sotme, pasi në mesditë u mbyt një 16-vjeçar nga fshati Bardhoc, ndërsa dy javë më herët një tjetër 16-vjeçar u mbyt në liqen në afërsi të Kukësit./Gazetaatdheu.com/