Shtatë vite pas tërmetit, mijëra familje në Durrës vazhdojnë të presin një zgjidhje për strehimin, por në Bashki prioritet duket se janë zyrat e reja luksoze. Kryebashkiakja Emiriana Sako ka firmosur plot 800 milionë lekë për ndërtimin e dy godinave të reja të Njësive Administrative në Ishëm dhe Katund i Ri, para që sipas denoncimeve përfundojnë në duart e kompanive të afërta me pushtetin.
Bëhet fjalë për fonde të Programit të Rindërtimit, të cilat shpërndahen përmes procedurës së ashtuquajtur “tender i kufizuar”, një mekanizëm i krijuar me vendim qeverie pas tërmetit të vitit 2019. Në praktikë, kjo do të thotë se gara zhvillohet vetëm mes kompanive të përzgjedhura paraprakisht.
Tenderi i parë ka si objekt ndërtimin e godinës së Njësisë Administrative Ishëm, me një fond limit prej 418 milionë lekësh pa TVSH.
Më 8 qershor 2026, në garë u paraqitën vetëm dy operatorë ekonomikë. Njëri u fut realisht në garë, ndërsa tjetri mori pjesë vetëm sa për të plotësuar procedurën. Për shkak të këtyre shkeljeve, Open Data Albania e ka klasifikuar procedurën me “Flamur të Kuq”, sinjal që tregon rrezik të lartë korrupsioni.
Njëra nga kompanitë pjesëmarrëse ishte DION-AL shpk, e themeluar nga Shpresa Joanidhi. Pas problemeve me drejtësinë, kompania kaloi në emër të fëmijëve të saj dhe në këtë procedurë, sipas dokumenteve, kishte një rol thuajse formal, duke mos hyrë realisht në garë.
Fituese u shpall RAJLI NDËRTIM shpk, edhe pse oferta e saj ishte pothuajse sa fondi limit, pra më e lartë se ajo e operatorit tjetër. Ndërkohë, dokumentet tregojnë se DION-AL, ndonëse kishte ofertë më të ulët, nuk kishte dorëzuar sigurimin e ofertës, duke i hapur rrugën fituesit të paracaktuar.
Ironia qëndron te fakti se godina e Njësisë Administrative Ishëm u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe qytetarëve iu siguruan shpejt ambiente të përkohshme për të marrë shërbimet. Megjithatë, Bashkia ka vendosur të investojë qindra milionë lekë për një godinë të re luksoze.
Sipas preventivit, godina do të vishet me pllaka mermeri “Janina”, do të pajiset me 17 kondicionerëdhe një sërë pajisjesh moderne, ndërsa shumë banorë të prekur nga tërmeti ende presin zgjidhjen e strehimit.
Në të njëjtën ditë, Bashkia e Durrësit zhvilloi edhe tenderin e dytë, këtë herë për ndërtimin e godinës së Njësisë Administrative Katund i Ri. Kontrata, me vlerë 396.5 milionë lekë pa TVSH, financohet nga fondet e Bashkisë dhe punimet parashikohet të përfundojnë brenda një viti.
Edhe në këtë procedurë skenari ishte identik. Në garë morën pjesë sërish vetëm dy kompani, RAJLI NDËRTIM dhe DION-AL, të njëjtat subjekte që konkurruan edhe për tenderin e Ishmit. Godina e vjetër e Njësisë Administrative Katund i Ri ishte dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 dhe u shemb nga Policia Bashkiake në vitin 2021.
Sipas rezultateve të shpallura më 8 korrik 2026, fituese u shpall përsëri RAJLI NDËRTIM, kompania që prej vitesh konsiderohet një nga përfitueset kryesore të tenderëve të Bashkisë së Durrësit.
Sipas denoncimeve, kompania është pjesë e skemës së ngritur gjatë kohës së Vangjush Dakos dhe vijon të favorizohet edhe nën drejtimin e Emiriana Sakos. Pretendohet se vendimet për ndarjen e tenderëve merren nga një rreth i ngushtë familjar, ku përmenden bashkëshorti i kryebashkiakes Landi Shahini, kunati Edmond Shahini dhe vëllai Anxhelo Sako, ndërsa pagesat kalojnë përmes një rrjeti prej 11 kompanish.
RAJLI NDËRTIM u krijua në vitin 2006 nga Enkelejda (Çollaku) Gojashi. Fillimisht ishte një kompani me aktivitet modest, por pas ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet nisi të shndërrohej në një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike. Në vitin 2010, Gojashi shiti gjysmën e aksioneve te Lediana Mata.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë pesë viteve të fundit kompania ka arkëtuar rreth 11.3 milionë euro nga fondet publike, ku pjesa dërrmuese e tyre kanë ardhur nga Bashkia e Durrësit.
Denoncimet shkojnë edhe më tej, duke pretenduar se pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, RAJLI NDËRTIM dhe G.P.G Company e Paqsor Buzit ndërtuan një skemë të koordinuar për të fituar tenderët e rindërtimit. Vetëm gjatë vitit 2022, bashkimi i këtyre kompanive përfitoi dy nga tre tenderët e rindërtimit, me një vlerë totale prej 4.46 milionë eurosh, ndërsa në disa procedura konkurrenca u konsiderua thjesht formale, me oferta që ndryshonin nga fondi limit vetëm me pak mijëra lekë ose euro.
Por historia nuk mbaron me kaq. Sipas të dhënave të publikuara, e njëjta skemë u përdor edhe në tenderë të tjerë të rindërtimit në Durrës.
Në tenderin për riaftësimin e pallateve nr. 8 dhe nr. 10 në rrugën “Pelikan”, bashkimi i kompanive Rajli Ndërtim–G.P.G Company paraqiti ofertën 2.9 milionë euro, ndërsa kompania Inerti dha një ofertë më të lartë se fondi limit, duke u eliminuar praktikisht nga gara.
E njëjta formulë u përsërit edhe në tenderin për riaftësimin strukturor të pallatit “Big Kristi”. Bashkimi Rajli–G.P.G ofertoi vetëm 3 mijë euro më pak se fondi limit, ndërsa “Inerti” sërish paraqiti ofertë më të lartë. Rezultati ishte ai që pritej: fituesi ishte i paracaktuar.
Sipas denoncimeve, me këtë mekanizëm Rajli Ndërtim dhe G.P.G Company, në bashkëpunim me biznesmenin Paqsor Buzi, arritën të siguronin 7 tenderë të Bashkisë së Durrësit, ndërsa Buzi u shpërblye më pas edhe me kontrata të tjera publike.
Në të njëjtën valë u fitua edhe tenderi për rindërtimin në Rrashbull, me objekt “Loti 2 – Rikonstruksioni dhe riparimi i mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat) në Njësinë Administrative Nr. 5 dhe Rrashbull”. Fondi limit ishte 206 milionë lekë, ndërsa tenderi u zhvillua më 3 shkurt 2022 dhe fitues u shpall sërish bashkimi Rajli Ndërtim – G.P.G Company.
Për këtë procedurë, Open Data Albania e klasifikoi tenderin me “Flamur të Kuq”, duke sinjalizuar rrezik të lartë për shkelje në prokurim.
Edhe më të forta janë gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas auditimit, kontrata iu dha një operatori ekonomik që nuk plotësonte kriteret ligjore, ndërsa komisioni i vlerësimit nuk propozoi anulimin e procedurës dhe hapjen e një gare të re, siç kërkonte ligji.
KLSH ngriti gjithashtu dyshime se marrëveshja “joint venture” mes Rajli Ndërtim dhe G.P.G Company ishte fiktive. Në dokumente, Rajli deklaronte se do të realizonte vetëm 17.28% të punimeve, ndërsa 82.72% i takonin G.P.G Company. Sipas audituesve, kjo ndarje ishte bërë vetëm për të mbuluar faktin se Rajli Ndërtim nuk plotësonte kriteret teknike dhe numrin e kërkuar të punonjësve, ndërsa ngrihen edhe dyshime për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit.
Por raporti i KLSH-së shkon edhe më tej dhe vendos në qendër të përgjegjësisë vetë kryebashkiaken Emiriana Sako. Sipas audituesve, ajo jo vetëm firmosi shpalljen e fituesit, por miratoi edhe raportin përmbledhës të komisionit të vlerësimit të ofertave, pavarësisht shkeljeve të konstatuara në procedurë.
Një tjetër detaj që rrëzon versionin zyrtar lidhet me numrin e punonjësve të Rajli Ndërtim. Kompania kishte dorëzuar listëpagesën e dhjetorit 2021 me vetëm 13 punonjës, ndërsa komisioni i ofertave pretendonte se ajo kishte paraqitur dokumentacion për 28 punonjës. KLSH e cilëson këtë pretendim si “të pakuptimtë”.
Dyshimet bëhen edhe më të forta kur ndiqet rruga e parave. Në marrëveshjen mes Rajli Ndërtim dhe G.P.G Company ishte parashikuar që punimet të ndaheshin 17.28% për Rajlin dhe 82.72% për G.P.G. Por, sipas auditimit, pagesat nuk u ndanë kurrë sipas këtyre përqindjeve.
Përkundrazi, rreth 2 miliardë lekë të këtij programi përfunduan të gjitha në llogaritë e Rajli Ndërtim, ndërsa G.P.G Company dyshohet se ka shërbyer vetëm si një partner fiktiv për të kaluar procedurën. Pak muaj më vonë, kompania e Paqsor Buzit u shpërblye me një tjetër kontratë rreth 4 milionë euronga Bashkia e Durrësit.
Pas ekspozimit të kësaj skeme nga KLSH, sipas dokumenteve, Rajli Ndërtim ndryshoi partnerët. Këtë herë u paraqit në bashkëpunim me kompaninë Sireta 2F, në pronësi të Fiqiri Palit, për të fituar një tjetër tender të rindërtimit.
Bëhet fjalë për tenderin e shpallur në fund të tetorit 2024, me objekt riaftësimin strukturor të pallatit nr. 1047 (ARVI), në Rrugën Taulantia, me fond limit 740 milionë lekë pa TVSH.
Edhe këtu gara rezultoi thuajse inekzistente. Në tender mori pjesë vetëm bashkimi i operatorëve Rajli Ndërtim dhe Sireta 2F, ndërsa oferta fituese ishte vetëm 95.519 lekë më e ulët se fondi limit.
Skema vijoi edhe në dhjetor 2025, kur Bashkia e Durrësit i akordoi sërish Rajli Ndërtim kontratën për rikonstruksionin e objekteve të Njësive Administrative nr. 1, 4, Sukth dhe Rrashbull, me vlerë 376 milionë lekë, duke vazhduar t’i kanalizojë fondet e rindërtimit drejt së njëjtës kompani.
Por skema nuk ndalet as këtu. Dokumentet tregojnë se, në një tjetër tender të Bashkisë së Durrësit, Rajli Ndërtim u shpall fituese edhe pse kishte paraqitur një ofertë më të lartë se një prej operatorëve të tjerë pjesëmarrës.
Bëhet fjalë për kontratën “Riaftësimi strukturor i pallatit nr.167 ‘Viko’, lagjja 13, Plazh, Rruga Pavarësia”, me vlerë rreth 1.7 milionë euro. Sipas dokumenteve, shkeljet ishin aq të dukshme sa Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ndërhyri dy herë, duke kërkuar rivlerësimin e procedurës.
Tenderi u zhvillua më 17 prill 2025, ku morën pjesë 6 operatorë ekonomikë. Megjithatë, Bashkia e Durrësit skualifikoi 5 prej tyre, duke lënë në garë vetëm Rajli Ndërtim.
Pas ankesës së kompanisë Lis Konstruksion, KPP urdhëroi më 28 prill rivlerësimin e procedurës dhe të skualifikimit të Rajlit. Bashkia pretendoi se e kishte zbatuar vendimin, por sipas KPP kjo nuk ishte e vërtetë, duke e detyruar institucionin të nxirrte një vendim të dytë dhe madje të pezullonte procedurën derisa të respektohej ligji.
Megjithatë, më 22 maj 2025, procedura u lejua të vazhdonte dhe fitues u shpall sërish Rajli Ndërtim, pavarësisht gjithë kontestimeve.
Ironikisht, kjo ndodhte ndërkohë që Emiriana Sako kishte dalë prej kohësh në dyert e SPAK-ut, ku ishte thirrur në maj të vitit 2024 për një çështje nën hetim, pa dhënë asnjë shpjegim publik për përmbajtjen e saj.
Ndërsa fondet e rindërtimit vazhdonin të shpërndaheshin tek të njëjtët emra, Durrësi u përball në janar 2026 me përmbytje të rënda, të cilat, sipas dyshimeve, lidhen me mosfunksionimin e hidrovorit të ri ku ishin investuar rreth 20 milionë euro.
Bilanci ishte tragjik: një punëtor humbi jetën, ndërsa Prokuroria nisi hetimet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.
Në fund, pyetja mbetet e njëjta: sa miliona euro të tjera do të vazhdojnë të qarkullojnë mes të njëjtëve emra, ndërsa qytetarët presin ende rindërtimin që u premtua pas tërmetit?