Burg për dy shqiptarët në Britani, u kapën me 23 kg kokainë, armë zjarri dhe dokumente false

Burg për dy shqiptarët në Britani, u…

Dy shtetas shqiptarë, pjesë e një grupi të organizuar kriminal, janë dënuar me burg në Mbretërinë e Bashkuar pasi u kapën me një sasi të madhe kokaine, armë zjarri dhe para cash.

47-vjeçari Zyber Tusha u dënua me 12 vite e 6 muaj burg nga Gjykata e Harrow Crown Court, pasi pranoi akuzat për posedim të lëndëve narkotike të klasit A me qëllim shpërndarjen dhe posedim të një arme zjarri.

Ndërsa 21-vjeçari Oltjan Serferi, i cili gjithashtu pranoi akuzën për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen, u dënua me 4 vite burg.

Sipas autoriteteve britanike, Tusha u arrestua më 5 shkurt në banesën e tij në zonën Colindale, në veriperëndim të Londrës, gjatë një operacioni të përbashkët të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) dhe Policisë Metropolitane.

Gjatë kontrollit në apartamentin e tij u sekuestruan 19 kilogramë kokainë me një vlerë rreth 1.5 milionë paund në treg, një pistoletë gjysmëautomatike e mbushur me 14 fishekë, 40,615 paund cash, gjashtë dokumente identiteti të falsifikuara, pesë telefona celularë dhe 21 kilogramë substancë për përzierjen e kokainës.

Në momentin kur policia po arrestonte Tushën, në banesë mbërriti edhe Oltjan Serferi me një çantë që përmbante 4 kilogramë të tjerë kokainë, me vlerë rreth 320 mijë paund. Ai tentoi të largohej duke hedhur çantën, por u kap pak çaste më vonë nga efektivët.

Autoritetet britanike bënë të ditur se të dy shqiptarët ndodheshin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe, pas përfundimit të dënimit me burg, do të deportohen në Shqipëri.

Hetuesi Andrew Tickner deklaroi se armët e zjarrit dhe trafiku i drogave të forta janë të lidhura ngushtë me grupet kriminale dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë publike, duke theksuar se operacione të tilla do të vijojnë për të goditur krimin e organizuar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit