Efektivi i Policisë së Durrësit, Leonard Xhamollari, ka mohuar të ketë njohje apo lidhje me Denis Tafilin, personin e shpallur në kërkim nga SPAK, ndërsa hetuesit vijojnë punën për të zbardhur rolin e tij në konfliktin e ndodhur në Shkallnur.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka sekuestruar armën e shërbimit të Xhamollarit, i cili ushtron detyrën si ndihmës specialist në sallën operative të Policisë së Durrësit. Masa hetimore është ndërmarrë pas dyshimeve për përfshirjen e tij në ngjarjen ku ishte i pranishëm edhe Tafili, një prej personave të kërkuar nga SPAK.
Efektivi është marrë në pyetje nga AMP, ku sipas deklarimeve të tij ka mohuar kategorikisht që të ketë njohje me Tafilin apo lidhje me të. Megjithatë, hetuesit po vijojnë verifikimet për të përcaktuar rrethanat e plota dhe nëse ka pasur ndonjë favorizim të mundshëm pas konfliktit.
Ndërkohë, Edison Gjuzi, personi i dëmtuar gjatë përplasjes, ka deklaruar se e ka parë më herët Xhamollarin në shoqërinë e Denis Tafilit dhe një tjetër person të dyshuar për pjesëmarrje në dhunë.
Për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes, grupi hetimor i AMP-së po analizon pamjet e kamerave të sigurisë, me qëllim përcaktimin e lëvizjeve të personave të përfshirë dhe rolit të efektivit të policisë.
Si ndodhi konflikti në Shkallnur
Ngjarja u regjistrua gjatë ditës së djeshme në zonën e Shkallnurit, ku Denis Tafili u përfshi në një konflikt me Edison Gjuzin. Sipas të dhënave paraprake, përplasja ka nisur për motive të dobëta, ndërsa Gjuzi dyshohet se është goditur me qytën e një pistolete nga Tafili dhe një 27-vjeçar me inicialet G.M.
Pas konfliktit, dy të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjet dhe ende nuk janë kapur nga policia, pavarësisht kontrolleve dhe postblloqeve të ngritura.
Në momentin e përplasjes ndodhej edhe efektivi Leonard Xhamollari, i cili u shoqërua nga autoritetet dhe ndaj tij nisi procedura verifikuese nga AMP.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe pistën nëse Denis Tafili ka ndërhyrë gjatë konfliktit në mbështetje të punonjësit të policisë.
Denis Tafili është person i shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve të SPAK për grupin kriminal të drejtuar nga Elvis Doçi, të goditur gjatë operacionit të përbashkët shqiptaro-italian “Ura”. Në këtë dosje, 24 persona janë përballur me akuza për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro.