Ka histori që nuk të tronditin vetëm për varfërinë apo mungesën e një çatie mbi kokë, por sepse tregojnë se sa e vështirë mund të bëhet jeta kur, përveç fatkeqësive, njeriu përballet edhe me pengesa nga ata që duhet ta mbështesin.
Kjo është historia e File Bulkut, një nëne që prej vitesh lufton e vetme për të rritur djalin e saj me çrregullim të spektrit autik. Pas humbjes së bashkëshortit, ajo nuk u përball vetëm me dhimbjen e një ndarjeje të parakohshme, por edhe me një tjetër betejë, atë për të siguruar një shtëpi.
Sipas ish-drejtorit të Shërbimeve Sociale për Qarkun Tiranë, Alfred Muharemi, File Bulku ishte shpallur përfituese e programit të rindërtimit me vendim të Këshillit Bashkiak në vitin 2021. Por pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit, situata juridike e pronës ndryshoi dhe në bashkëpronësi hynë edhe familjarët e të ndjerit.
Muharemi pretendon se pikërisht kjo situatë bëri që programi të mos realizohej. Sipas tij, familjarët e bashkëshortit kundërshtuan procedurat dhe nuk pranuan të vijonin me programin, duke bërë që Fileja dhe djali i saj të mbeteshin pa përfituar banesën që u ishte premtuar.
Për pasojë, një nënë e vetme dhe djali i saj mbetën pa një banesë të sigurt, ndërsa vitet kalonin mes vështirësive dhe pasigurisë.
Kalvari nuk përfundoi aty. Në një tjetër episod të dhimbshëm të jetës së saj, në një emisionin u publikuan pamje të vjetra ku File Bulku shfaqej duke ushtruar dhunë ndaj djalit të saj, kur ai ishte vetëm 8 vjeç. Sipas Muharemit, pas këtij rasti institucionet sociale ndërhynë menjëherë, duke e përfshirë nënën në programe të posaçme prindërimi dhe monitorimi. Ai thekson se pas kësaj ndërhyrjeje nuk u regjistrua më asnjë incident.
Edhe pse iu ofrua një banesë sociale nga Drejtoria Rajonale e Shërbimeve Sociale në Tiranë, File Bulku zgjodhi të mos e pranonte, një vendim që mbetet pjesë e historisë së saj të vështirë dhe komplekse.
Rrëfimi i bërë publik nga Alfred Muharemi rikthen në vëmendje dramën e një nëne që për vite me radhë është përballur me humbje, paragjykime, procese të ndërlikuara dhe sfida të vazhdueshme për të mbrojtur e rritur fëmijën e saj.
Përtej çdo debati, historia e File Bulkut ngre një pyetje të fortë: sa e vështirë duhet të jetë jeta e një nëne që, pasi humbet bashkëshortin, detyrohet të luftojë edhe për të drejtën më themelore – një strehë të sigurt për fëmijën e saj?