Hetimet për ngjarjen e rëndë që tronditi Roskovecin vijojnë, ndërsa grupi hetimor pritet të marrë sërish në pyetje 24-vjeçaren Rozalinda Plaka. Ajo u mbajt peng për disa orë nga ish-partneri i saj, Refit Buzi, pak pasi ky i fundit vrau babanë e saj dhe plagosi rëndë nënën, e cila humbi jetën disa orë më vonë në spital.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se dëshmia e parë e të resë nuk ka qenë e mjaftueshme për të sqaruar motivet që dyshohet se çuan 35-vjeçarin të kryente krimin dhe më pas t’i jepte fund jetës, pas rreth 10 orësh negociatash me Policinë dhe forcat RENEA.
Sipas të njëjtave burime, menjëherë pasi u lirua nga pengmarrja, Rozalinda Plaka ka rrëfyer vetëm momentet që përjetoi në banesën e familjes mëngjesin e 24 korrikut.
Në dëshminë e saj, ajo ka deklaruar se ishte në gjumë kur u zgjua nga zhurmat brenda banesës. Kur hapi sytë, pa Refit Buzin në dhomë, të armatosur me një armë gjahu.
“Më kërcënoi dhe më detyroi të hipja në makinë e ta ndiqja”, mësohet të ketë deklaruar ajo para hetuesve.
24-vjeçarja ka treguar gjithashtu se në ato çaste nuk e kuptoi menjëherë përmasën e tragjedisë. Sipas dëshmisë së saj, ajo pa të atin të shtrirë në kuzhinë, ndërsa nënën nuk arriti ta shihte.
Megjithatë, lidhur me motivin e ngjarjes, fundin e marrëdhënies me Refit Buzin dhe pretendimet e këtij të fundit se i kishte dërguar nga Anglia 830 mijë paund për t’ia ruajtur, por që nuk i ishin kthyer, e reja nuk ka dhënë shpjegime. Për këtë arsye, hetuesit pritet ta marrin sërish në pyetje në përpjekje për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Krimi i rëndë ndodhi mëngjesin e 24 korrikut në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Nga të shtënat humbi jetën në vend Kosta Plaka, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, ndërroi jetë disa orë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Pas krimit, Refit Buzi mbajti peng ish-partneren e tij për disa orë dhe më pas u izolua në automjetin e tij, ku, pas rreth 10 orësh negociatash me Policinë dhe forcat RENEA, vrau veten duke refuzuar të dorëzohej.