Një e re nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim ndaj një biznesi në Sarandë, ku pretendon se kushtet e punës iu ndryshuan menjëherë pasi mbërriti në qytet, pavarësisht se, sipas saj, marrëveshja ishte bërë më herët.
Sipas denoncueses, ajo kishte pranuar të punonte në “Jungle Bar Rooftop”, pasi kishte rënë dakord paraprakisht për orarin 21:00-01:00 dhe një pagesë të caktuar. Megjithatë, sapo mbërriti në Sarandë, pretendon se iu kërkua të punonte deri në orën 02:00, pa pagesë shtesë.
Në mesazhin e saj, ajo shprehet se kërkoi vetëm respektimin e marrëveshjes fillestare ose pagesën për orën shtesë, por kjo, sipas saj, solli ndërprerjen e bashkëpunimit.
Denoncuesja thekson se nuk iu komunikua se kishte probleme me performancën në punë. Përkundrazi, sipas saj, i është thënë se punën e kryente shumë mirë.
Ajo pretendon se, kur shkoi për të mbyllur llogaritë dhe për të marrë pagesën për ditët e punuara, nuk iu kompensuan plotësisht orët e punës, ndërsa nuk iu mbuluan as shpenzimet e transportit dhe qëndrimit, edhe pse kishte udhëtuar nga Tirana duke u bazuar në kushtet e dakordësuara paraprakisht.
Sipas saj, situata u bë edhe më kontradiktore kur, pasi iu komunikua se nuk do të ishte më pjesë e stafit, biznesi i kërkoi sërish të rikthehej në punë, me argumentin se e kryente shumë mirë detyrën, por ishte “shumë profesionale” dhe nuk përshtatej me mënyrën e tyre të punës.
Denoncuesja pretendon gjithashtu se gjatë një bisede me një nga pronarët, komunikimi mori një ton jo profesional dhe ofendues, duke u shoqëruar, sipas saj, edhe me fjalë fyese.
Në përfundim të mesazhit, ajo thekson se nuk po vë në diskutim të drejtën e një biznesi për të zgjedhur punonjësit, por mënyrën se si, sipas saj, ndryshuan kushtet pasi kishte lënë qytetin e saj dhe kishte bërë shpenzime për të nisur punën sezonale në Sarandë.
JOQ Albania publikon këtë denoncim në interes të informimit publik dhe mbetet e hapur për reagimin ose sqarimin e biznesit “Jungle Bar Rooftop” lidhur me pretendimet e ngritura nga denoncuesja.