“Po flisja me nënën në telefon”, dëshmia e Beqirajt pas arrestimit në Francë

“Po flisja me nënën në telefon”, dëshmia…

Është zbardhur dëshmia e Ermal Beqirajt, biznesmenit të shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t, pas arrestimit nga autoritetet franceze. Sipas mediave vendase, Beqiraj u ndalua nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, pasi po pilotonte një avion të vogël mbi centralin bërthamor të Penly. Para autoriteteve ai ka deklaruar se ulja e lartësisë së fluturimit ishte e paqëllimshme dhe se në ato momente ishte duke folur në telefon me nënën e tij.

Shpjegimet e pilotit shqiptar dyshohet se nuk bindën autoritetet franceze, të cilat pas verifikimeve me palën shqiptare zbuluan se ai ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën edhe tre pajisje “AirTag”, gjurmues të vegjël GPS, të cilat janë sekuestruar nga autoritetet. Beqiraj është vendosur në paraburgim dhe pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar dhe do të nisin procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Ndaj Ermal Beqirajt rëndojnë akuza për “Heqje të paligjshme të lirisë”, “Konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”. SPAK dyshon se Beqiraj, në bashkëpunim me Ergys Agasin, ka qenë pjesë e një skeme kriminale brenda AKSHI-t, ku përmes kërcënimeve ndaj bizneseve të tjera dyshohet se janë siguruar tendera me vlerë miliona euro. Sipas ligjit, ai prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit