Ishëm-Erzeni dhe Semani, lumenjtë më të ndotur në Shqipëri gjatë vitit 2025

Ishëm-Erzeni dhe Semani, lumenjtë më të ndotur…

Dy nga gjashtë basenet kryesore lumore në Shqipëri janë klasifikuar në kategorinë më të ulët të cilësisë së ujërave sipërfaqësore gjatë vitit 2025. Sipas Raportit të Gjendjes në Mjedis të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), basenet Ishëm-Erzen dhe Seman renditen në kategorinë “Gjendje e keqe”, ndërsa Shkumbini ka shënuar përkeqësim, duke kaluar nga “Gjendje e mirë” në “Gjendje e moderuar”. Raporti e lidh këtë situatë me shkarkimet urbane të patrajtuara, aktivitetin industrial dhe presionin nga bujqësia.

Sipas AKM-së, cilësia e ujërave mbetet e mirë në burimet dhe rrjedhat e sipërme të lumenjve, por përkeqësohet ndjeshëm në zonat që kalojnë pranë qendrave të banuara. Baseni Ishëm-Erzen rezulton më problematiku, me segmentet e Lumit të Tiranës në Urën e Kamzës, Lanabregas dhe Yrshek, si edhe lumin Ishëm dhe Erzenin në Urën e Beshirit, ku janë regjistruar nivele të larta të ndotësve si Nevoja Biokimike për Oksigjen (NBO5), amoniaku dhe lëndët ushqyese. Edhe baseni i Semanit është përkeqësuar krahasuar me vitin 2024, kryesisht për shkak të ndotjes në lumin Gjanica, në zonën e Urës së qytetit të Fierit.

Në të kundërt, Vjosa dhe Drini vijojnë të ruajnë klasifikimin “Gjendje e mirë”, me tregues fizikë, kimikë dhe biologjikë brenda standardeve të Direktivës Kuadër të Bashkimit Evropian për Ujin. Raporti thekson se diferenca mes lumenjve që kalojnë në zona malore dhe atyre pranë qendrave të urbanizuara po bëhet gjithnjë e më e theksuar, duke paralajmëruar se shkarkimet e patrajtuara dhe aktivitetet ekonomike po largojnë disa prej baseneve më të mëdha të vendit nga objektivat për një status të mirë ekologjik.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit