Pamje dramatike nga tërmeti i fuqishëm që goditi prefekturën Kumamoto në Japoni po bëjnë xhiron e rrjetit, duke treguar forcën shkatërruese të lëkundjeve sizmike.
Në video shihet një kamion i ngarkuar me trungje druri duke u lëkundur fort teksa kalon mbi një urë në momentin kur toka nis të dridhet. Lëkundjet janë aq të forta sa edhe automjetet e tjera, ndërtesat dhe shtyllat e ndriçimit duken sikur po “vallëzojnë”, ndërsa trafiku ndalet dhe njerëzit largohen me nxitim.
Sipas autoriteteve japoneze, tërmeti me magnitudë 7.1 ka shkaktuar të paktën 14 viktima në prefekturën Kumamoto. Kryeministrja Sanae Takaichi deklaroi se “çdo sekondë ka rëndësi”, ndërsa mijëra ushtarë janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit për personat që dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja.
Mes dëmeve më të rënda është shembja e pjesshme e një qendre tregtare, ku disa persona humbën jetën dhe të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Autoritetet dyshojnë se shembja është shkaktuar nga një shpërthim gazi i provokuar nga lëkundjet.
Tërmeti ka dëmtuar gjithashtu ura, rrugë dhe ndërtesa historike në një zonë që ende mban plagët e tërmetit shkatërrues të vitit 2016.
Pamjet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë përdorues i kanë krahasuar me skena të filmave “Final Destination”, duke i cilësuar si ndër më të frikshmet e regjistruara gjatë këtij tërmeti.