60 vjet pas zbulimit të amfiteatrit të Durrësit

60 vjet pas zbulimit të amfiteatrit të…

Gjashtë dekada pas nisjes së gërmimeve për zbulimin e Amfiteatrit Antik të Durrësit, historia e monumentit vijon të jetë e lidhur ngushtë me kujtimet e banorëve që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Kompozitori Haig Zacharian kujton se ishte vetëm 14 vjeç kur punoi si shumë bashkëmoshatarë të tij në largimin e dherave gjatë gërmimeve, ndërsa familja e tij u shpërngul në vitin 1972 për shkak të rrezikut që i kanosej banesës nga punimet.

Sipas dëshmive të profesorit Afrim Hoti dhe banorëve të zonës, zbulimi i amfiteatrit ishte rezultat i punës dhe intuitës së arkeologut Vangjel Toçi, i cili udhëhoqi gërmimet dhe e bëri monumentin të njohur brenda dhe jashtë vendit. Gjatë viteve 1966–1970 u shembën mbi 33 banesa dhe rreth 50 familje u zhvendosën për t’i hapur rrugë zbulimit të një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Megjithëse kanë kaluar 60 vjet nga fillimi i gërmimeve, punimet në Amfiteatrin e Durrësit mbeten të papërfunduara. Arena ende nuk është zbuluar plotësisht, ndërsa familjet që vazhdojnë të jetojnë pranë monumentit shprehen se nuk kanë informacion për të ardhmen e zonës. Banorët kërkojnë që historia e lagjes së dikurshme dhe sakrifica e familjeve të mos harrohen, por të bëhen pjesë e kujtesës historike të qytetit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit