Katër vite pas tragjedisë së Potamit në Himarë, emri i Jonada Avdisë vijon të mbetet një nga ngjarjet më të dhimbshme që ka tronditur opinionin publik shqiptar. Më 2 gusht 2022, 7-vjeçarja humbi jetën pasi u përplas nga një skaf i drejtuar nga ish-polici Arjan Tase, i cili kishte hyrë në zonën e ndaluar për mjetet lundruese. Ngjarja ndodhi në sy të pushuesve dhe prindërve, duke shkaktuar reagime dhe protesta në mbarë vendin.
Për këtë ngjarje, Arjan Tase u shpall fajtor për “vrasje me dashje” nga Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm, e cila la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të Vlorës. Ai u dënua me 18 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar u reduktua në 12 vite. Ndërkohë, në korrik 2025, Gjykata e Vlorës shpalli të pafajshëm tetë efektivë policie të akuzuar për shpërdorim detyre për mosveprimet e dyshuara gjatë kontrollit të zonës bregdetare.
Katër vite pas humbjes tragjike të Jonadës, çështja vijon të ngrejë debate mbi përgjegjësinë individuale dhe institucionale për sigurinë në hapësirat publike. Rasti i saj mbetet një kujtesë e dhimbshme për pasojat që mund të sjellë neglizhenca dhe mungesa e zbatimit të rregullave, ndërsa kërkesat për më shumë siguri dhe përgjegjësi vijojnë të jenë pjesë e debatit publik.