Rama shpërthen pas protestave kundër Reformës Administrative: Djegia e teserave të PS, akt i turpshëm

Rama shpërthen pas protestave kundër Reformës Administrative:…

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar djegien e teserave të Partisë Socialiste si një “akt të turpshëm” nga disa individë të cilët, sipas tij, as vetë nuk e kanë ditur tamam ç’kanë bërë. Ky reagim i ashpër erdhi pas protestave në disa bashki kundër propozimit të PS për reformën territoriale. Rama ka sulmuar gjithashtu deputetët socialistë që e kanë kundërshtuar propozimin, duke i akuzuar se kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë. Megjithatë, ai ka theksuar se përveç këtij akti, gjithçka tjetër në lidhje me protestat e brendshme është “jo vetëm normale, po edhe e mirëseardhur”.

Kryeministri ka shpjeguar se dokumenti i reformës është në fazën e konsultimit publik prej 60 ditësh, ku gjithkush ka të drejtë të shprehet lirisht. Ai ka theksuar se në Shqipëri nuk ka regjim dhe në PS nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë. Sipas tij, kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë duhet të paraqesin me shkrim qëndrimet e tyre, ndërsa ata që kundërshtojnë mund të protestojnë në mënyrë paqësore, pa cenuar rendin publik. Ai ka shtuar se të gjithë do të dëgjohen dhe informohen më tepër gjatë këtyre 60 ditëve për arsyet logjike të propozimeve.

Rama e ka parë reagimin e brendshëm si pjesë të një procesi normal, duke e përjashtuar vetëm djegien e teserave si një veprim të papranueshëm. Ai ka insistuar se vendimi përfundimtar për reformën do të merret nga parlamenti, “pasi të jenë dëgjuar të gjitha palët e interesuara”.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit