Besmir Beja emëron vëllain e Skënder Hitajt shef në doganën e Kakavijës

Besmir Beja emëron vëllain e Skënder Hitajt…

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka emëruar në detyrën e përgjegjësit të Pikës Doganore të Kakavijës Elvis Hitajn, i cili është vëllai i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj.

Elvis Hitaj ka ushtruar më parë detyrën si doganier në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, ndërsa së fundmi është promovuar duke u bërë shef në këtë pikë doganore.

Ky lajm është bërë i ditur në redaksinë e JOQ Albania nga një punonjës i doganave, i cili kërkon transparencë mbi procedurën e ndjekur dhe ngre pikëpyetje nëse promovimi është bërë vetëm mbi bazën e meritës apo nëse lidhja familjare me kreun e Policisë mund të ketë krijuar një perceptim favorizimi.

Sipas denoncuesit, ky emërim nuk është bërë publik dhe nuk është raportuar deri më tani në media, ndaj ai kërkon që institucionet të japin shpjegime mbi kriteret që kanë çuar në përzgjedhjen e Elvis Hitajt si përgjegjës në një prej pikat më të rëndësishme doganore në vend.

Por shqetësimet e ngritura nga doganieri nuk ndalen vetëm te emërimi. Ai pretendon se prej një periudhe të gjatë, një pjesë e konsiderueshme e mallrave po devijohen nga Dogana e Kapshticës drejt Doganës së Kakavijës, pasi sipas tij kjo e fundit gjeneron fitime më të larta. Për këtë arsye, ai kërkon që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të sqarojë nëse ka pasur ndryshime në orientimin e fluksit të mallrave, mbi çfarë kriteresh janë marrë këto vendime dhe në interes të kujt.

Rasti ngre disa pyetje që kërkojnë përgjigje zyrtare: A është bërë emërimi i Elvis Hitajt përmes një procedure tërësisht të bazuar në meritë dhe konkurrencë? A mund të krijojë lidhja familjare me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë perceptimin e një konflikti interesi apo favorizimi? Dhe a qëndrojnë pretendimet se fluksi i mallrave po orientohet nga Kapshtica drejt Kakavijës për arsye ekonomike?

JOQ Albania publikon këtë denoncim në interes të transparencës dhe mbetet e hapur për çdo reagim apo sqarim zyrtar nga Besmir Beja, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si edhe nga institucionet e tjera përgjegjëse lidhur me pretendimet e ngritura nga punonjësi i doganave.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit