Vetëm dy ditë pasi paralajmëroi një sulm masiv ndaj Iranit, presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit do të nisin të hënën, duke sinjalizuar një përpjekje të re diplomatike për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One, Trump deklaroi se bisedimet, të cilat pritet të zhvillohen përmes ndërmjetësve, do të fillojnë të hënën pasdite.
“Po negociojmë me iranianët. Bisedimet nisin nesër pasdite dhe do të shohim si do të shkojnë. Do të preferoja një marrëveshje. Nuk dua të vriten njerëz, sepse humbin jetën shumë persona dhe ne nuk e duam këtë,” u shpreh Trump.
Presidenti amerikan zbuloi se kishte vendosur të anulonte atë që e cilësoi si një “sulm masiv” të planifikuar për të premten, pasi, sipas tij, kishte zhvilluar bisedime me Iranin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, të cilat krijuan hapësirë për rikthimin e diplomacisë.
Trump shtoi se është optimist për arritjen e një marrëveshjeje mbi menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike për transportin global të naftës, si edhe për programin bërthamor të Iranit.
Deklarata vjen pas disa ditësh tensionesh të larta, gjatë të cilave presidenti amerikan kishte paralajmëruar se SHBA ishte gati të godiste objektiva iraniane nëse nuk arrihej një zgjidhje diplomatike.
Tashmë, administrata amerikane duket se po i jep një tjetër mundësi dialogut, ndërsa mbetet për t’u parë nëse negociatat do të sjellin një marrëveshje konkrete apo do të shërbejnë vetëm si një armëpushim i përkohshëm në krizën mes dy vendeve.