Mediat greke kanë publikuar pamje tronditëse nga fronti i zjarrit në Megara, ku flakët vijojnë të përhapen në zonën e Kandilit dhe në drejtim të Agia Skepit, ndërsa autoritetet po zhvillojnë një betejë të vazhdueshme për të frenuar avancimin e tyre.
Një nga momentet më dramatike të regjistruara nga kamerat tregon tre kuaj – dy të rritur dhe një më të vogël – duke vrapuar të tmerruar për t’i shpëtuar flakëve që po afroheshin me shpejtësi. Pamjet tregojnë pasojat e rënda të zjarrit, i cili po kërcënon jo vetëm banorët, por edhe kafshët e zonës.
Forcat zjarrfikëse kanë përqendruar operacionet në dy vatra kryesore, në Agios Nektarios dhe Kandili, duke bërë përpjekje për të ndaluar përhapjen e zjarrit drejt poligonit të qitjes dhe zonave të tjera të banuara.
Për shkak të rrezikut të lartë, autoritetet greke lëshuan në orën 03:24 të mëngjesit një mesazh emergjence përmes sistemit 112, duke urdhëruar evakuimin e banorëve të zonave Skepi, Kandili dhe Botsika, me drejtim për në Nea Peramo.
Ndërkohë, zjarrfikësit luftuan gjatë gjithë natës me flakët në pjesën perëndimore të Atikës, ndërsa hetimet vijojnë për përplasjen në ajër të dy helikopterëve zjarrfikës gjatë operacioneve, aksident ku humbën jetën dy anëtarë të ekuipazhit.