Qytetarët do të mblidhen sot në protestën e 66-të, duke vijuar kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimi do të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe të përcillen mesazhet e organizatorëve.
Protesta, e cila nisi si reagim ndaj situatës në Zvërnec, është shndërruar në një lëvizje me kërkesa politike, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese. Në tubime kanë marrë pjesë qytetarë të grupmoshave dhe profesioneve të ndryshme, të cilët mbajnë pankarta dhe flamuj kombëtarë.
Edhe në protestën e sotme pritet të përsëriten thirrjet dhe sloganet kundër qeverisë, ndërsa organizatorët kanë bërë apel për pjesëmarrje. Gjatë protestave të mëparshme, marshimet janë zhvilluar në rrugët kryesore të Tiranës dhe janë ndalur edhe pranë institucioneve shtetërore për të shprehur kërkesat e protestuesve.