Një tjetër akt i rëndë vandalizmi ndaj natyrës së virgjër shqiptare është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania, ku një pushues ka denoncuar ndotjen kriminale të detit në Gadishullin e Karaburunit.
Ai ka treguar se teksa po lundronte me gomone në zonën e mbrojtur midis Gjirit të Shën Andreas dhe Gjirit të Gramës, ka parë disa thasë të zinj mbeturinash në det. Pa hezituar ai ka marrë në gomonen e tij dhe kur i ka hapur ka parë që ishin me shishe birrash e kanaçe pijesh që persona të papërgjegjshëm pasi i kanë konsumuar kanë zgjedhur që të mos i marrin me vete mbeturinat, por t’i hedhin ato direkt në ujërat e detit.
I indinjuar nga kjo masakër që i bëhët bukurive natyrore të njërës prej zonave më të izoluara dhe të paprekura të bregdetit Jon, qytetari thotë se kjo është nje masakër e bastardëve të papërgjegjshëm.
Qytetari që ka dërguar denoncimin e ka cilësuar ngjarjen si një krim të hapur kundër mjedisit dhe natyrës, duke shprehur indinjatën e thellë për mungesën e ndërgjegjes qytetare dhe kontrollit në këto zona turistike të virgjëra që vizitohen çdo ditë nga qindra turistë vendas dhe të huaj.