Franca ka arrestuar 402 persona të dyshuar për lidhje me zjarret që kanë përfshirë vendin që nga fillimi i sezonit, mes tyre edhe 156 të mitur. Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, ndërsa vendi vijon të përballet me një nga sezonet më të rënda të zjarreve të viteve të fundit.
Sipas autoriteteve, gjatë vitit 2026 janë regjistruar mbi 14 mijë vatra zjarri, ndërsa një pjesë e tyre dyshohet se janë shkaktuar qëllimisht ose si pasojë e sjelljeve të pakujdesshme njerëzore. Arrestimet janë pjesë e hetimeve që po zhvillohen në disa rajone të vendit.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë me dije se zjarret në departamentet Gironde dhe Aude janë vënë nën kontroll, ndërsa beteja me flakët vazhdon në departamentin Var, ku zjarri është cilësuar si më i gjati i regjistruar ndonjëherë në këtë zonë, duke qëndruar aktiv për 15 ditë rresht.
Për shuarjen e flakëve në Var janë angazhuar rreth 1.250 zjarrfikës, të mbështetur nga dy avionë bombardues uji Canadair dhe dy helikopterë. Ndërkohë, niveli i alarmit në Gironde është ulur nga i kuq në portokalli pas përmirësimit të situatës.
Sipas studimeve dhe ekspertëve të klimës, Evropa po përballet me valë gjithnjë e më intensive të të nxehtit, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarreve. Megjithatë, autoritetet franceze theksojnë se shumica dërrmuese e vatrave të zjarrit kanë origjinë njerëzore, qoftë nga zjarrvënia e qëllimshme, qoftë nga pakujdesia, ndaj hetimet për identifikimin e autorëve janë intensifikuar në të gjithë vendin.