Një rast i rëndë ka tronditur opinionin publik në Greqi, ku një 41-vjeçar është dërguar për gjykim pasi akuzohet për abuzim seksual të përsëritur ndaj vajzës 9-vjeçare të bashkëshortes së tij.
Sipas dosjes hetimore, ngjarjet dyshohet se kanë nisur gjatë verës së vitit 2023, kur nëna e fëmijës, e cila ishte shtatzënë, udhëtoi drejt Shqipërisë. Në atë periudhë, vajza mbeti nën kujdesin e 41-vjeçarit.
Autoritetet pretendojnë se i pandehuri ka shfrytëzuar mungesën e nënës për të ushtruar kontroll ndaj të miturës, duke nisur një periudhë të gjatë abuzimi që dyshohet se ka vazhduar deri në pranverën e vitit 2025.
Sipas hetimeve, edhe pas kthimit të nënës në Greqi, vajza nuk kishte arritur të fliste për atë që po përjetonte, për shkak të frikës dhe presionit të fortë psikologjik.
Në dosjen e çështjes thuhet se 41-vjeçari dyshohet se e kishte kërcënuar vajzën se do të dëmtonte të afërmit e saj, përfshirë gjyshen dhe xhaxhain nga ana e babait, nëse ajo do të tregonte për abuzimin.
Tashmë, 41-vjeçari do të përballet në gjykatë me akuzat e rënda për “përdhunim të përsëritur të një të miture” dhe “abuzim në akt të pahijshëm të një të miture nën moshën 14 vjeç”, për të cilën kujdesi dhe mbrojtja i ishin besuar nga prindi.