Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë fshatin Penkovë në Bashkinë e Selenicës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Flakët, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, përfshinë disa automjete të një subjekti privat që përdoreshin për pjesë këmbimi.
Sipas pronarit të biznesit, dëmi ekonomik i shkaktuar nga zjarri llogaritet në rreth 35 milionë lekë. Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse të Selenicës, Vlorës dhe Himarës, të cilat pas disa orësh punë arritën të vinin flakët nën kontroll.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe për të dokumentuar dëmet e shkaktuara.