Pushimet verore sjellin fluks të madh automjetesh drejt Shqipërisë, por edhe rreziqe në rrugë. Një studim i fundit tregon se disa nga vendet tranzit më të përdorura nga shqiptarët renditen ndër më të rrezikshmet në Evropë për numrin e viktimave në aksidente rrugore.
Analiza e publikuar nga Vignette Switzerland, kompania që ofron shërbime online për pagesën e autostradave në Zvicër, e rendit Serbinë në krye të listës së vendeve me rrezikun më të lartë në trafik. Sipas të dhënave, në këtë shtet regjistrohen 74 viktima në aksidente rrugore për çdo një milion banorë, një shifër dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Pas Serbisë renditen Bullgaria me 71 viktima dhe Rumania me 68 për një milion banorë. Të treja janë pjesë e korridoreve rrugore që përshkohen çdo verë nga mijëra shqiptarë dhe mërgimtarë gjatë udhëtimeve drejt Evropës Perëndimore ose në kthim për pushime në vendlindje.
Sipas studimit, niveli i lartë i aksidenteve fatale lidhet me një kombinim faktorësh, si cilësia e infrastrukturës rrugore, zbatimi i rregullave të qarkullimit dhe siguria e përgjithshme në trafik. Megjithatë, në Serbi është regjistruar një ulje e lehtë e numrit të viktimave krahasuar me një vit më parë.
Në mesin e dhjetë vendeve me bilancin më të rëndë të viktimave në trafik përfshihen edhe destinacione të njohura turistike si Portugalia, Greqia, Italia dhe Franca, çka tregon se sfidat e sigurisë rrugore mbeten të pranishme edhe në vende me fluks të lartë vizitorësh.
Në anën tjetër të renditjes qëndrojnë Norvegjia dhe Suedia, të cilat regjistrojnë vetëm 19 viktima në aksidente rrugore për çdo një milion banorë, duke u renditur si vendet më të sigurta në Evropë për drejtuesit e automjeteve.
Raporti evidenton gjithashtu përmirësimin e ndjeshëm të disa shteteve gjatë dekadës së fundit. Lituania ka ulur numrin e viktimave në trafik me 43%, ndërsa përparim të konsiderueshëm kanë shënuar edhe Letonia, Bullgaria, Greqia dhe Hungaria.
Ndërkohë, Portugalia dhe Franca kanë ecur me ritme shumë më të ngadalta. Që nga viti 2015, Portugalia ka ulur numrin e viktimave në trafik me vetëm 1%, ndërsa Franca me 6%.
Për drejtuesit e mjeteve që do të udhëtojnë këtë verë, ekspertët rekomandojnë respektimin e kufijve të shpejtësisë, shmangien e lodhjes në timon, planifikimin e itinerarit dhe kujdes të shtuar gjatë kalimit në rrugë të panjohura ose me trafik të rënduar.