Mungesa e investimeve publike në sistemin mjekësor shqiptar po përkthehet çdo ditë e më shumë në një bilanc tragjik njerëzor dhe goditje të drejtpërdrejtë për financat e vendit. Një raport i ri i përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë për llogari të Dhomës Amerikane të Tregtisë sjell një paralajmërim serioz: nënfinancimi kronik i sektorit po u merr jetën para kohe mijëra qytetarëve, ndërsa barra e sëmundjeve po gërryen produktivitetin dhe inovacionin në shoqëri.
Sipas të dhënave të dokumentit, diferenca mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera mbetet alarmante. Gjatë vitit të kaluar, shteti shqiptar shpenzoi mesatarisht vetëm 330 euro për çdo banor për shërbimet shëndetësore. Kjo shifër është sa një e pesta e asaj që shpenzojnë vendet e ngjashme të rajonit dhe afro dhjetë herë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian.
Ekspertët argumentojnë se paratë e alokuara për mjekësinë nuk duhet të trajtohen si një shpenzim i thjeshtë buxhetor, por si një investim me kthim të lartë zhvillimor. Rritja e fondeve për rimbursimin e barnave, garantimi i aksesit në mjekimet moderne dhe investimi te depistimi e diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve do të ndryshonin rrënjësisht situatën.
Nëse Shqipëria do të arrinte të paktën nivelet e financimit të fqinjëve të saj rajonalë, ekonomia vendase mund të gjeneronte mbi 560 milionë euro prodhim shtesë çdo vit, falë një force punëtore më të shëndetshme.
Për të ndalur këtë degradim, raporti propozon një plan gradual që do ta çonte financimin publik në 4% të PBB-së deri në vitin 2030, nga 2.9% që është sot. Kjo reformë kërkon një paketë shtesë prej 457 milionë eurosh.
Nga ky fond, 287 milionë euro do t’i kalonin drejtpërdrejt rimbursimit të barnave, terapive bashkëkohore dhe parandalimit të sëmundjeve. Pjesa tjetër prej 170 milionë eurosh propozohet të përdoret për fuqizimin e mjekut të familjes, rritjen e pagave dhe mbështetjen e stafit mjekësor, si dhe për mirëmbajtjen e spitaleve e dixhitalizimin e shërbimeve.
Pavarësisht këtyre nevojave urgjente, autorët e raportit ngrenë këmbanën e alarmit se parashikimet e Programit Buxhetor Afatmesëm të qeverisë tregojnë të kundërtën: një ulje të mëtejshme të peshës së shpenzimeve për shëndetësinë në raport me ekonominë e vendit, çka rrezikon t’i thellojë edhe më shumë kostot sociale dhe ekonomike për qytetarët.