Një ngjarje e mbushur me mister dhe pikëpyetje ka ndodhur së fundmi në zonën e bregdetit të jugut, ku raportohet se ka ndërruar jetë një turiste e huaj. Mungesa e një njoftimi zyrtar nga ana e autoriteteve ka ngritur shqetësim dhe pikëpyetje të shumta te qytetarët, të cilët po kërkojnë transparencë se çfarë ka ndodhur realisht.
Përmes një denoncimi të shoqëruar edhe me foto nga vendngjarja, një qytetar tregon itinerarin dramatik të ambulancës dhe ndërhyrjen e helikopterit të emergjencës.
“Me këtë ambulancë ka ardhur deri te pista e helikopterit. Kanë menduar që ta çojnë nga Himara në Vlorë me ambulancë, pastaj kanë thirrur helikopterin i cili erdhi në pistën në Palasë fshat. Ka ndërruar jetë dhe ka qenë në prani të partnerit. Shkaqet s’i kanë të dokumentuara” — shkruan qytetari për JOQ.
Pikëpyetjet e mëdha: Kush është turistja dhe si ndodhi tragjedia?
Ndërsa e vetmja gjë e sigurt deri më tani është fotoja e ambulancës në pistën e uljes në Palasë dhe informacioni që turistja ka ndërruar jetë në prani të partnerit të saj, prapaskena e kësaj ngjarjeje mbetet tërësisht në errësirë.
Qytetarët dhe pushuesit në zonë ngrenë pyetje të drejtpërdrejta me të cilat duhet të përballet Policia e Shtetit:
- Kush është turistja e huaj? A bëhet fjalë për një shtetase gjermane, angleze apo nga ndonjë vend tjetër?
- Çfarë e shkaktoi humbjen e jetës? A bëhet fjalë për një vdekje natyrale nga ndonjë komplikacion shëndetësor, një helmim nga ushqimi apo kontaktet në det, apo për ndonjë incident tjetër si kafshim nga “peshkaqeni”?
- Pse po mungon informacioni zyrtar? Sido që të jetë e vërteta, pse policia dhe strukturat e shëndetësisë nuk kanë nxjerrë ende një deklaratë për mediat për të sqaruar rrethanat?
Heshtja e autoriteteve ushqen vetëm aludime dhe pasiguri te qytetarët e pushuesit e shumtë. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një ngjarje me shkaqe natyrore apo aksidentale, Policia e Shtetit ka detyrimin t’u japë përgjigje pyetjeve të ngritura nga qytetarët dhe të zbardhë të vërtetën e kësaj ngjarjeje tragjike.