Një hartë e bazuar në të dhënat e INSTAT për periudhën 2011–2023 tregon se rreth 13% e territorit të Shqipërisë, ose afërsisht 1,519 kilometra katrorë, është klasifikuar si zonë e braktisur. Fenomeni është më i përhapur në zonat malore dhe me dendësi të ulët popullsie, ku spikasin bashkitë e Tropojës, Kukësit, Dibrës, Matit, Mirditës, Pukës, Fushë-Arrëzit dhe Malësisë së Madhe.
Sipas hartës, braktisja shtrihet edhe në zona të Librazhdit, Elbasanit, Gramshit, Përrenjasit, Skraparit, Beratit, Korçës, Përmetit, Tepelenës, Kolonjës, Memaliajt dhe Gjirokastrës. Në kontrast, korridori perëndimor dhe qendrat e mëdha urbane si Tirana, Durrësi dhe Fieri paraqiten më pak të prekura, duke reflektuar përqendrimin e popullsisë dhe zhvillimit ekonomik në këto zona.
Ekspertët e lidhin fenomenin me mungesën e mundësive ekonomike, infrastrukturën e dobët, mungesën e shërbimeve publike dhe emigracionin e lartë, veçanërisht të të rinjve. Si pasojë, shumë fshatra dhe vendbanime periferike janë boshatisur, ndërsa përqendrimi i investimeve dhe i popullsisë në ultësirën perëndimore ka thelluar pabarazitë territoriale në vend.