Turistja e huaj humb jetën në Himarë, bashkëshorti: U ndje keq gjatë hiking-ut

Turistja e huaj humb jetën në Himarë,…

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e një shtetaseje të huaj në Himarë, ku dyshimet paraprake janë për një komplikacion shëndetësor.

Sipas dëshmisë së bashkëshortit, gruaja kishte pasur më herët probleme shëndetësore dhe kishte planifikuar të kryente një vizitë mjekësore në vendin e saj të banimit. Megjithatë, pasi çifti kishte ardhur në Shqipëri për pushime, kontrolli ishte shtyrë.

Një ditë para ngjarjes, ata kishin zgjedhur të bënin një shëtitje në një zonë malore. Pas rreth 20 minutash ecje, gruaja është ndalur dhe i ka thënë bashkëshortit se nuk ndihej mirë, ndërsa kishte vështirësi në frymëmarrje. Çifti është kthyer menjëherë në banesën ku po qëndronte në Himarë.

Gjatë orëve në vijim, gjendja e saj është përkeqësuar. Ajo ka pasur të vjella, ndërsa bashkëshorti është larguar për të marrë një medikament në farmaci. Por, kur është kthyer, e ka gjetur atë pa ndjenja.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme dhe transportit me autoambulancën e Himarës drejt spitalit, gruaja nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës.

Për rastin ishte aktivizuar edhe një helikopter për asistencë, por pas njoftimit se turistja kishte humbur jetën, ndërhyrja ajrore nuk është kryer.

Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të sqarojë rrethanat dhe shkakun e saktë të vdekjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit