Dy shtetas shqiptarë, nënë e bir, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor që ndodhi mëngjesin e së premtes në rajonin e Serres, në veri të Greqisë. Sipas mediave greke, viktimat janë një grua 43-vjeçare dhe djali i saj 24-vjeçar, të cilët udhëtonin me të njëjtin automjet.
Aksidenti ndodhi rreth orës 07:30 në aksin rrugor Amfipoli–Drama, pranë zonës së Paleokomit, ku makina e tyre u përplas me një kamion. Përplasja ishte fatale për nënën dhe djalin, të cilët humbën jetën në vendngjarje, ndërsa drejtuesi 57-vjeçar i kamionit mbeti i plagosur dhe u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës për të marrë ndihmë mjekësore.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Grupi hetimor po mbledh provat në vendngjarje, ndërsa pritet që ekspertizat dhe dëshmitë të ndihmojnë në përcaktimin e dinamikës së përplasjes.