Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Serres të Greqisë, ku një 43-vjeçare shqiptare dhe djali i saj 24-vjeçar humbën jetën në një aksident tragjik automobilistik.
Bashkëshorti i viktimës dhe babai i të riut ka rrëfyer momentet e fundit para se të merrte vesh lajmin e dhimbshëm. Në një intervistë për mediat greke, ai tregoi se gruaja dhe djali i tyre ishin nisur herët në mëngjes për të shkuar në punë në zonën e Amfipolit.
“U zgjuan në orën 7:30 për të shkuar në Amfipoli. Në orën 7:50 i telefonova në celular, por nuk u përgjigjën”, ka treguar ai i tronditur.
Sipas tij, automjeti drejtohej nga djali 24-vjeçar, ndërsa nëna e tij udhëtonte në sediljen e pasagjerit. Babai ka thënë se nuk kishte asnjë informacion për aksidentin derisa mbërriti në vendngjarje.
“Nuk di çfarë të them. Tani kam humbur gjithçka. Askush nuk më njoftoi. Diçka më thoshte në zemër se kishte ndodhur diçka e keqe. Pashë ambulancën dhe zjarrfikësen, i mora në telefon, por nuk mora përgjigje. Kur mbërrita këtu, i humba të dy”, u shpreh ai mes dhimbjes.
Ai shtoi se ende nuk ishte vënë në dijeni për shkaqet e aksidentit. “Nuk më kanë thënë asgjë. Për momentin nuk di asgjë”, tha ai.
Autoritetet dyshojnë se automjeti mund të ketë humbur kontrollin, duke devijuar në korsinë e kundërt. Në asfalt janë gjetur gjurmë frenimi dhe rrëshqitjeje, të cilat po analizohen nga ekspertët për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.
Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse, të cilat nxorën personat nga automjeti, por fatkeqësisht 24-vjeçari
dhe nëna e tij kishin humbur jetën.
Drejtuesi i kamionit mbeti i plagosur dhe u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas mediave greke, 24-vjeçari kishte përfunduar studimet për mekanik automjetesh në Itali. Nëna dhe djali ishin figura të njohura dhe të respektuara në komunitetin e Palaiokomisë.
Banorët i përshkruajnë si një familje të thjeshtë dhe punëtore, e cila kishte jetuar prej vitesh në zonë dhe ishte bërë pjesë e pandarë e komunitetit.
Pamjet e aksidentit pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në hetimin e autoriteteve, pasi dokumentojnë çastet e fundit para përplasjes fatale.