Ambasada e Izraelit në Portugali kërkon anulimin e koncertit të Kanye West

Ambasada e Izraelit në Portugali kërkon anulimin…

Ambasada e Izraelit në Portugali i ka bërë thirrje zyrtare organizatorëve për anulimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West, i cili është planifikuar të mbahet mbrëmjen e sotme në rajonin e Algarves. Sipas përfaqësisë diplomatike, muzikanti ka promovuar hapur antisemitizmin dhe ka glorifikuar nazizmin përmes deklaratave të tij të mëparshme publike.

Përmes një videomesazhi të publikuar në mediat sociale, ambasadori i Izraelit në Portugali, Oren Rosenblatt, njoftoi kërkesën zyrtare për anulim dhe iu bëri thirrje qytetarëve që të bojkotojnë eventin.

Ambasadori Rosenblatt theksoi se veprimet e reperit i kalojnë kufijtë e provokimit artistik:

“Një person që lavdëroi Adolf Hitlerin, promovoi antisemitizmin dhe pretendoi se skllavëria ishte çështje zgjedhjeje, nuk po përhap provokime, por gjuhë urrejtjeje,” tha ai.

Diplomati kujtoi qëndrimet e mëparshme problematike të artistit, ku ky i fundit kishte deklaruar se “e do Hitlerin” dhe se është “nazist”. Rosenblatt nërmendi se disa shtete kanë marrë tashmë masa konkrete për të ndaluar shfaqjet ose hyrjen e West në territoret e tyre, duke nëvizuar se shoqëritë demokratike nuk duhet t’u ofrojnë hapësirë publike njerëzve që promovojnë ideologji të tilla.

“Nëse nuk do të blije një biletë për një interpretues që nxit urrejtje kundër zezakëve, myslimanëve, të krishterëve ose komunitetit LGBT, pse duhet të jetë ndryshe kur shënjestra janë hebrenjtë?” u shpreh ambasadori, duke sqaruar se kjo kërkesë nuk lidhet me qëndrime politike ndaj shtetit të Izraelit, por me luftën kundër urrejtjes ndaj hebrenjve.

Nga ana tjetër, kompania organizatore i ka hedhur poshtë kategorikisht thirrjet për bllokimin e shfaqjes. Torquato George, drejtori i përgjithshëm dhe bashkëthemeluesi i “Raya Culture”, deklaroi se nuk ekziston asnjë arsye sigurie për anulimin e koncertit. Sipas tij, kërkesat e ambasadës bazohen tërësisht mbi dezinformata dhe spektakli do të vijojë sipas planit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit