Vala e të nxehtit vijon të dominojë vendin edhe gjatë kësaj të shtune, me temperaturat maksimale që pritet të arrijnë deri në 40°C. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti do të jetë kryesisht i kthjellët, ndërsa në zonat malore do të ketë vranësira të pakta deri mesatare gjatë mesditës dhe pasdites.
Në relievet malore parashikohen reshje shiu me intensitet të ulët, ndërsa në zonat e larta malore, kryesisht në veri dhe lindje, nuk përjashtohen shtrëngata të shkurtra. Era do të fryjë nga kuadrati i perëndimit me shpejtësi mesatare deri në 6 m/s, ndërsa përgjatë bregdetit dhe në zonat luginore mund të forcohet deri në 14 m/s.
Në det pritet valëzim i forcës 1-3 ballë. Temperaturat e larta do të jenë karakteristikë e ditës, ndaj qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes, veçanërisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, kur temperaturat arrijnë vlerat më të larta.