Zbardhen emrat e tre të dënuarve të përfshirë në konfliktin e regjistruar në burgun e Fierit, ku dy prej tyre mbetën të plagosur. Bëhet fjalë për Denis Bajoviç, Aldo Gjini dhe Jurgen Zotaj, të cilët fillimisht janë përfshirë në një debat që më pas ka degraduar në përplasje fizike.
Sipas burimeve, tre të dënuarit njiheshin prej kohësh dhe kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, ndërsa konflikti dyshohet se ka nisur pas një debati të momentit. Dy prej tyre kanë pësuar dëmtime dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit, ku kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë rikthyer në ambientet e burgut.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit. Pjesë e hetimit pritet të jenë edhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat do të ndihmojnë në përcaktimin e dinamikës së përplasjes dhe mënyrës se si ka nisur incidenti.