Një 31-vjeçar është arrestuar në Kavajë pasi dyshohet se kishte marrë një kallashnikov me qëllim vrasjen e një 38-vjeçari, me të cilin ishte konfliktuar më herët. Policia ndërhyri pas marrjes së informacionit për një konflikt në zonën e Spillesë dhe kapi në flagrancë Neldi Hallullin, i cili në momentin e ndërhyrjes mbante armën e zjarrit me vete. Kallashnikovi dhe municioni u sekuestruan si prova materiale.
Sipas hetimeve paraprake, Hallulli dyshohet se pas konfliktit me Indrit Ramën kishte marrë armën me qëllim për ta vrarë atë. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Postës së Policisë Rrogozhinë bëri të mundur parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale dhe shmangien e pasojave të mundshme për jetën e 38-vjeçarit.
Ndërkohë, Indrit Rama është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi dyshohet se ka goditur me grushte Hallullin, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit dhe rrethanave që çuan në përshkallëzimin e tij.