Zelensky në takimin me Vuçiç: Ukraina do të vazhdojë të mos e njohë Kosovën

Zelensky në takimin me Vuçiç: Ukraina do…

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ripërsëritur qëndrimin e pandryshuar të Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e lidhur këtë politikë me respektimin e integritetit territorial dhe të drejtës ndërkombëtare. Ai e shprehu këtë gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Serbi, ku u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, duke falënderuar Serbinë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë. Ndërkohë, Vuçiq ka theksuar se Serbia do të vazhdojë të respektojë integritetin territorial të Ukrainës dhe nuk do të kundërshtojë hyrjen e saj të parë në BE, pavarësisht se Beogradi vazhdon të mos i jetë bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.

Gjatë bisedimeve në Beograd, të dy udhëheqësit kanë diskutuar për bashkëpunim dypalësh, përfshirë projekte infrastrukturore dhe rindërtimi në Ukrainë, ku Serbia ka premtuar ndihmë për një qytet të goditur nga lufta. Vuçiç njoftoi se Serbia do të ndihmojë Ukrainën me pajisje energjetike për dimër dhe se beson në forcimin e bashkëpunimit pas përfundimit të luftës, duke përfshirë edhe eksportin e përbashkët në tregje të treta. Gjithashtu, u nënshkrua një memorandum për bashkëpunim në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, ndërsa u bë e ditur se së shpejti pritet të nënshkruhet një marrëveshje për tregti të lirë mes dy vendeve, të cilat janë të dyja kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vizita e Zelenskyt, e cila ndodhi tri javë pas samitit ku Vuçiç ishte i vetmi lider që nuk nënshkroi deklaratën kundër Rusisë, ka shkaktuar reagime të përziera në Serbi. Një grup i vogël i ekstremit të djathtë ka protestuar kundër vizitës, duke mbajtur flamuj rusë dhe foto të Putinit, ndërsa lideri i tyre e ka cilësuar pritjen e presidentit ukrainas si “turp për Serbinë”. Megjithatë, qëndrimi i Beogradit mbetet i balancuar, duke ruajtur lidhjet me Rusinë për furnizim me gaz, por njëkohësisht duke hapur dyert për bashkëpunim më të ngushtë me Ukrainën në disa fusha.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit