Tetë punonjës të Policisë së Burgjeve në Fier janë përjashtuar nga detyra pas përplasjes së dhunshme mes tre të paraburgosurve në ambientet e burgut, ndërsa Prokuroria e Fierit vijon hetimet për të zbardhur motivin dhe rrethanat e ngjarjes.
Burime mediatike bëjnë me dije se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur një procedim disiplinor ndaj 8 punonjësve, me urdhrin për përjashtimin e tyre të firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
Sipas të njëjtave burime, dy prej punonjësve dyshohet se nuk kanë dhënë informacion, ndërsa 6 të tjerë akuzohen për mospërmbushje të detyrave.
Në qendër të hetimit të Prokurorisë së Fierit është përplasja mes Aldo Gjinit, i lidhur me grupin e Rrajave, Jurgen Zotos dhe Denis Bajrit, ky i fundit i lidhur me grupin e Shkodrës.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja nuk ka qenë një konflikt i çastit. Tre të paraburgosurit, sipas burimeve, prej kohësh qëndronin bashkë në ambientin e përbashkët të sektorit dhe nuk kishin pasur më herët përplasje mes tyre.
Një prej pistave që po hetohet është ajo e një përplasjeje të nxitur nga grupet kriminale rivale, ku sulmi ndaj Bajrit mund të ketë qenë një mesazh.
Sipas dinamikës së rindërtuar nga grupi hetimor mbi bazën e dëshmisë së Denis Bajrit, në momentin e ngjarjes Aldo Gjini dhe Jurgen Zoto i janë afruar Bajrit duke mbajtur një celular në dorë. Dyshohet se ata i kanë thënë: “Këtë mesazh e ke nga filani”, dhe më pas e kanë sulmuar me një thikë artizanale.
Bajri është kundërpërgjigjur dhe mes të treve ka nisur përplasja fizike. Si pasojë mbetën të plagosur Denis Bajri dhe Jurgen Zoto.
Sipas burimeve, Zoto ka marrë një plagë gjatë përleshjes, e dyshuar se i është shkaktuar nga një goditje me unazë nga një anëtar i grupit të Bajrit.
Të dy të plagosurit u dërguan në Spitalin e Fierit për të marrë ndihmë mjekësore dhe raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje është sekuestruar thika artizanale që dyshohet se u përdor në sulm, ndërsa celulari i sekuestruar pritet t’i nënshtrohet ekspertizës nga BKH, për të verifikuar nëse përmban të dhëna që mund të ndihmojnë hetimin.
Ndërkohë, për shkak të incidentit, është vendosur edhe transferimi i dy të paraburgosurve. Jurgen Zoto është urdhëruar të transferohet në burgun e Burrelit, ndërsa Aldo Gjini në burgun e Drenovës. Të dy do të qëndrojnë në izolim për një periudhë prej 3 muajsh.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse pas përplasjes fshihet ndonjë konflikt më i gjerë mes grupeve kriminale, përfshirë edhe grupin e Ibrahim Licit, me të cilin grupi i Shkodrës është përfshirë më herët në përplasje.
Denis Bajri akuzohet nga SPAK si pjesë e grupit kriminal të Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit 2022. Bajri akuzohet se, në interes të Martinajt, ka marrë pjesë në vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020.
Ai është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe dosja ndaj tij është dërguar për gjykim nga SPAK.
Aldo Gjini lidhet nga hetimet e SPAK me grupin kriminal të Rrajave në Fushë-Krujë, ndaj të cilit janë ngritur akuza për trafikimin e 2.4 tonëve marijuanë dhe kokainë drejt vendeve të Evropës. Grupi dyshohet se ka trafikuar drogë nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe Gjermanisë, si dhe nga Shqipëria drejt Turqisë, ndërsa një tjetër linjë lidhej me transportin e drogës nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Evropian.
Gjini është përfshirë edhe më herët në çështje penale. Në korrik 2021 ai u përfshi në një plagosje në Tiranë, ndërsa më herët ishte kërkuar nga Euripol për vrasje dhe trafik armësh. Ai dyshohet gjithashtu për një plagosje të ndodhur në Luksemburg në nëntor 2020 dhe në vitin 2016 ishte arrestuar në Itali për shpërndarje droge.
Ndërsa Jurgen Zoto, personi i tretë i përfshirë në përplasjen në burgun e Fierit, ndodhet në paraburgim për veprat penale të vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse sulmi ishte një konflikt i izoluar brenda burgut apo pjesë e një përplasjeje më të gjerë mes grupeve kriminale.