Autobusi i “Green Line” i oligarkut Çausholli vrau të moshuarin te vijat e bardha

Autobusi i “Green Line” i oligarkut Çausholli…

Një aksident tragjik i regjistruar mëngjesin e 4 gushtit 2026, rreth orës 05:20, në kryqëzimin e rrugës “Muhedin Llagami” me Rrugën e Kavajës, pranë ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, i mori jetën 78-vjeçarit Jorgji D. Sipas të dhënave të policisë, i moshuari po kalonte rrugën në vijat e bardha, nga trotuari drejt trafikndarësit, kur u përplas nga një autobus “Solaris”, me targë AB768XZ, i linjës “Astir-Qendër”. Jorgji D. pësoi dëmtime të rënda dhe, pavarësisht transportimit në spital, ndërroi jetë rreth një orë më vonë. Shoferi, Agim M., 62 vjeç, u arrestua në flagrancë, ndërsa testi i alkoolit rezultoi 0.00 mg/l.

Sipas të dhënave të siguruara nga Boldnews.al, në vendimin e Gjykatës së Tiranës për masën e sigurisë thuhet se në vendin e aksidentit vijat e bardha ishin të dukshme, ndërsa semafori ishte jofunksional dhe punonte me dritë pulsante. Në dëshminë e tij, shoferi ka deklaruar se po qarkullonte normalisht në drejtim të Tiranës, në korsinë e majtë, kur në kryqëzim i është shfaqur papritur këmbësori nga ana e djathtë. Ai pretendon se ka frenuar, por autobusi e ka përplasur 78-vjeçarin me pjesën e përparme. Pas aksidentit, shoferi ka zbritur nga autobusi dhe ka qëndruar në vendngjarje deri në mbërritjen e ambulancës. Ai deklaroi se ishte i punësuar prej kompanisë “Green Line” e Nadir Çaushollit dhe se autobusin e kishte marrë nga parku i mjeteve në Prush për të nisur shërbimin drejt qendrës.

Më 7 gusht 2026, Prokuroria e Tiranës kërkoi “arrest në burg” për 62-vjeçarin, nën dyshimin për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Mbrojtësja e tij kërkoi një masë më të lehtë, duke argumentuar se shoferi nuk kishte precedentë penalë, ishte i vetmi që punonte në familje, ishte penduar dhe kishte nisur përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet me familjen e viktimës. Gjykata, megjithatë, vendosi masën “arrest në burg”, duke marrë në konsideratë pasojën e rëndë të aksidentit. Ngjarja ngre pikëpyetje edhe për sigurinë e kalimit të këmbësorëve në atë kryqëzim, veçanërisht në kushtet kur semafori ishte jashtë funksionit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit