Elon Musk bllokon Ukrainën për sulmet në thellësi të Rusisë përmes Starlink

Elon Musk bllokon Ukrainën për sulmet në…

Elon Musk ka refuzuar t’i lejojë Ukrainës të përdorë shërbimin e tij të internetit satelitor Starlink për të drejtuar sulme me dronë në thellësi të territorit Rus, raportoi të premten The Atlantic, duke cituar dy aleatë të afërt të ish-ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Mikhail Fedorov.

Sipas publikimit, Fedorov, një promovues i luftës me dronë me njohuri të thella teknologjike, i cili u shkarkua nga detyra muajin e kaluar nga Zelensky, që atëherë ka punuar përmes kanaleve jozyrtare për t’i bërë thirrje Musk-ut, por miliarderi deri tani ka refuzuar të ndryshojë qëndrim.

“Për momentin, nuk ka asnjë vendim pozitiv, Elon vazhdon të thotë se është koha për të bërë një marrëveshje.” – citohet të ketë thënë një aleat i Fedorov.

The Atlantic kishte raportuar më herët se gjatë vizitës së tij në SHBA muajin e kaluar, lideri ukrainas Vladimir Zelensky i kërkoi Presidentit Donald Trump të ndihmonte për të ndikuar tek aleati i tij i afërt, Musk, lidhur me këtë çështje, por Trump nuk mori një qëndrim të prerë.

Musk filloi t’i dhuronte Ukrainës dhjetëra mijëra terminale Starlink menjëherë pasi konflikti me Rusinë shpërtheu në shkurt të vitit 2022. Megjithatë, shumë shpejt ai filloi të përplasej me zyrtarët ukrainas, duke u bërë thirrje atyre të përqendroheshin në arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Moskës dhe Kievit dhe duke paralajmëruar vazhdimisht se konflikti mund të çonte në Luftën e Tretë Botërore.

Në vitin 2023, sipërmarrësi konfirmoi raportimet se kishte refuzuar kërkesën e Ukrainës për të përdorur Starlink-un për sulme ndaj Flotës Ruse të Detit të Zi dhe bazave detare në Krime.

“Nëse do ta kisha pranuar kërkesën e tyre, atëherë SpaceX do të ishte në mënyrë të qartë bashkëpërgjegjëse për një akt të madh lufte dhe për përshkallëzimin e konfliktit.” – deklaroi ai në atë kohë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha muajin e kaluar se Musk duhet ta mbyllte plotësisht Starlink-un në Ukrainë nëse vërtet dëshironte që “njerëzit të ndalonin së vdekuri”.

Qëndrimi i raportuar i Musk-ut përbën një goditje të dytë të madhe për përpjekjet diplomatike të Ukrainës, pasi Trump tërhoqi një premtim të mëparshëm për t’i dhënë Kievit një licencë për të prodhuar raketa të mbrojtjes ajrore Patriot dhe hodhi poshtë një kërkesë për të dërguar më shumë interceptorë.

Zelensky dhe ushtria ukrainase thanë këtë javë se vendi po përballej me vështirësi për të përballuar sulmet ruse ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera.

Vendimi i papritur i Zelenskyt për ta shkarkuar Fedorovin shkaktoi protesta në rrugët e Ukrainës, ku turma qytetarësh dhe disa aktivistë të njohur kërkuan rikthimin e tij në detyrë. Zelensky iu përgjigj zemërimit publik duke shkarkuar komandantin më të lartë të vendit, gjeneralin Aleksandr Syrsky, me të cilin Fedorov raportohet se ishte përplasur për sa i përket prioriteteve dhe taktikave.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit