Nga rivënia anësore te goli, super-asisti me salto që ka pushtuar rrjetin

Nga rivënia anësore te goli, super-asisti me…

Mbrojtësi iranian Nader Mohammadi dhuroi një spektakël të vërtetë në Ligën e Parë Ruse, duke realizuar një nga rivëniet anësore më spektakolare të viteve të fundit.

Në ndeshjen mes Spartak Kostroma dhe SKA-Khabarovsk, Mohammadi përdori teknikën e rrallë të rivënies me salto për ta dërguar topin në zonën e rreptësisë. Topi përfundoi te Sergei Bugriev, i cili realizoi me kokë, duke shënuar golin e tretë për Spartak Kostroma në fitoren 3-1.

Aksioni, i realizuar në fundin e takimit kur rezultati ishte 2-1, u bë menjëherë viral në rrjetet sociale dhe tërhoqi vëmendjen e tifozëve të futbollit në mbarë botën.

Rivënia me salto nuk është një teknikë e re në futboll. Ajo është përdorur më herët edhe nga ish-futbollisti estonez Risto Kallaste dhe anglezi Steve Watson në fillim të viteve ’90. Megjithatë, ekzekutimi i Mohammadi ka bërë që iraniani të kthehet brenda pak orësh në një nga emrat më të komentuar në rrjetet sociale.

Kjo nuk ishte hera e parë që Mohammadi tentonte një veprim të tillë. Në vitin 2021, ai kishte provuar të realizonte një rivënie me salto nga gjysmëfusha e tij, por atëherë aksioni nuk u finalizua me gol.

Fitorja 3-1 ndaj SKA-Khabarovsk e ndihmoi Spartak Kostroma të ngjitej në vendin e dytë të renditjes, ndërsa Mohammadi fitoi vëmendjen e tifozëve falë aftësisë së tij të veçantë për të kthyer një rivënie anësore në një armë të rrezikshme sulmuese.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit