Nga emërimet te gradat, çfarë ndryshon në Policinë e Shtetit me ligjin e ri?

Nga emërimet te gradat, çfarë ndryshon në…

Hyn në fuqi ligji i ri për Policinë e Shtetit, i cili sjell ndryshime në organizimin e strukturave drejtuese, emërimet në nivelet drejtuese, strukturën territoriale të policisë dhe sistemin e gradave. Një nga ndryshimet kryesore lidhet me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pas përfundimit të detyrës, ai tashmë mund të rikthehet në strukturat drejtuese të Policisë, por nuk mund të riemërohet në postin e Drejtorit të Përgjithshëm. Ky parashikim ndryshon nga ligji i mëparshëm, i cili nuk lejonte rikthimin e ish-drejtorit në strukturat drejtuese dhe parashikonte vetëm angazhimin e tij si këshilltar.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me mënyrën e emërimit të drejtuesve të komisariateve dhe drejtorive. Sipas ligjit të ri, këto emërime do të bëhen sërish nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Kjo rikthen mekanizmin e parashikuar në ligjin e mëparshëm, ndërsa ligji i vitit 2024, i cili tashmë ndryshohet, përcaktonte që emërimet të bëheshin përmes një procesi konkurrimi. Ndryshimet rikthejnë gjithashtu strukturën e “Postës së Policisë”, e cila ishte riorganizuar me skemën e mëparshme territoriale.

Ligji i ri prek edhe sistemin e gradave të Policisë së Shtetit, duke rishikuar organizimin dhe funksionimin e tyre. Ndryshimet synojnë një riorganizim të strukturave dhe funksioneve drejtuese brenda policisë, duke përcaktuar kompetenca të reja dhe mënyra të ndryshme të administrimit të karrierës policore. Sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, ndryshimet përfaqësojnë një rikthim të disa mekanizmave që kanë qenë pjesë e kuadrit të mëparshëm ligjor.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit