Alarmante në Kopshtin Zoologjik të Tiranës! Kafshët të lëna pa ujë dergjen në vapë

Alarmante në Kopshtin Zoologjik të Tiranës! Kafshët…

“Kafshët nuk mund të tregojnë se kanë etje, se po vuajnë nga nxehtësia apo se kanë dhimbje, nuk mund të largohen nga aty, nuk mund të kërkojnë ndihmë.”

Një situatë tejet kritike dhe alarmante është regjistruar në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Në kushtet e një valë të nxehti ekstrem me temperatura që arrijnë deri në 38°C, kafshët po vuajnë në heshtje, të lëna në mëshirë të fatit, pa kushtet minimale të mbijetesës.

Arinjtë, luani, ujqërit, por edhe kafshë të tjera si lopët dhe kuajt, shihen të rraskapitura duke kërkuar çdo hije të mundshme për t’u mbrojtur nga dielli përvëlues.

Uji i vënë në dispozicion është i pamjaftueshëm, ndërsa gjendja e tij ngre dyshime të forta mbi standardet e higjienës dhe kujdesit ditor.

Pamjet tregojnë qartë se të paktën një prej ujqërve ka plagë të dukshme në trup, pa u dhënë asnjë garanci nëse po marrin trajtimin e duhur veterinar.

Kopshti Zoologjik i Tiranës vizitohet çdo ditë nga qytetarë dhe turistë, por realiteti pas hekurave është skandaloz. Këto nuk janë thjesht objekte ekspozimi, por qenie të gjalla që nuk kanë mundësi të largohen apo të kërkojnë ndihmë vetë.

Institucionet dhe personat përgjegjës që i mbajnë këto kafshë në robëri kanë detyrimin ligjor dhe moral t’u garantojnë atyre kushte dinjitoze jetese.

Kjo situatë kërkon reagim të menjëhershëm, kontroll urgjent, transparencë dhe marrje përgjegjësie nga strukturat përkatëse bashkiake dhe shtetërore.
Banorët e Kopshtit Zoologjik nuk mund të vuajnë për shkak të neglizhencës dhe mungesës së menaxhimit!

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit