Vrasja e Johan Zukos, Sterjo rrëfen në gjykatë: “Nuk doja ta vrisja, jam penduar”

Vrasja e Johan Zukos, Sterjo rrëfen në…

Kristjan Sterjo ka përsëritur edhe para Gjykatës së Korçës të njëjtin version të ngjarjes që kishte dhënë më herët gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor.

Burime pranë gjykatës bëjnë me dije se 20-vjeçari ka qëndruar i qetë gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë. Në përfundim të deklarimeve të tij, Sterjo mësohet të ketë shprehur pendesë për veprimin.

Ai ka pranuar se mes tij dhe Johan Zukos kishte pasur një konflikt të mëparshëm, por ka pretenduar se nuk kishte dalë me qëllimin për ta vrarë.

Gjykata e Korçës ka vendosur ndaj 20-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”. Sterjo akuzohet për vrasjen me armë zjarri të Johan Zukos, si dhe për “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në deklarimin e dhënë para autoriteteve në orën 23:40 të 8 gushtit, Sterjo ka rrëfyer versionin e tij mbi atë që parapriu dhe më pas çoi në vrasjen e Johan Zukos.

Sipas tij, rreth dy javë para ngjarjes kishte pasur një përplasje verbale me Zukon, pasi ky i fundit, sipas pretendimit të Sterjos, kishte ngacmuar një mikeshë të tij. 20-vjeçari ka deklaruar se gjatë këtij konflikti e kishte goditur Zukon me pëllëmbë.

Në ditën e ngjarjes, Sterjo ka treguar se e ka parë Zukon duke lëvizur me një Mercedes-Benz C-Class. Pas një shkëmbimi fjalësh mes tyre, automjeti është ndaluar dhe ai është afruar pranë tij.

Sipas dëshmisë së Sterjos, në këtë moment Zuko ka nxjerrë një thikë dhe është përpjekur ta godasë. Ai pretendon se ka nisur një përleshje, gjatë së cilës një person tjetër që ndodhej në automjet e ka mbajtur. Sipas tij, Zuko ka tentuar sërish ta godasë me thikë, ndërsa persona të tjerë kanë ndërhyrë për t’i ndarë.

Pas këtij konflikti, Sterjo është larguar drejt banesës së tij. Ai ka deklaruar se, në gjendje të acaruar, ka marrë një armë zjarri që e kishte fshehur në shtëpi dhe e ka vendosur në një thes të bardhë.

Më pas është nisur në këmbë drejt zonës ku banonte Johan Zuko. Kur ka mbërritur pranë një marketi, sipas versionit të tij, ka parë Zukon pranë një lokali.

Sterjo pretendon se është afruar drejt tij i armatosur, ndërsa Zuko ka nisur të largohet me vrap dhe është futur në një pallat. 20-vjeçari e ka ndjekur dhe, sipas deklarimit të tij, ka qëlluar me armë në drejtim të Zukos, duke pretenduar se ka synuar pjesën e këmbëve.

Ai ka deklaruar se nuk ka parë nëse Zuko është plagosur dhe se nuk mund të përcaktojë me siguri llojin e armës së përdorur.

Pas të shtënës, Sterjo ka treguar se është larguar nga vendi i ngjarjes dhe armën e ka fshehur në disa shkurre në zonën e njohur si “Fusha e Drurëve”.

Më pas është kthyer në banesë, ka ndërruar rrobat dhe veshjet që kishte përdorur gjatë ngjarjes i ka futur në lavatriçe. Sipas deklarimit të tij, më vonë është larguar nga banesa dhe ka qëndruar në një shtëpi të pabanuar pranë banesës së tij.

Kristjan Sterjo është arrestuar në flagrancë rreth orës 00:30 të 9 gushtit, nën dyshimin për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78 dhe 278 të Kodit Penal.

Gjatë kontrollit personal, policia i ka sekuestruar një telefon të markës Xiaomi dhe një karikues. Ndërkohë, në kuadër të hetimeve, nga të dyja duart e tij janë marrë tamponë për ekzaminimin e mbetjeve të qitjes.

Në cilësinë e provave materiale janë administruar edhe veshjet që dyshohet se Sterjo kishte veshur në momentin e ngjarjes, të gjetura në banesë. Hetuesit kanë sekuestruar gjithashtu një tjetër telefon, të markës Redmi, i cili është kontrolluar në kuadër të hetimit.

Ndërsa Sterjo ka dhënë versionin e tij për ngjarjen dhe ka shprehur pendesë, hetimet vijojnë për të verifikuar deklarimet e tij dhe për të zbardhur të plotë dinamikën e vrasjes së Johan Zukos.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit