Nëse mendonit se kulmi i skemave financiare shqiptare ishte zbuluar, drejtori i Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Flauers Shoshi, vjen këtë gusht për t’ju kujtuar se kufijtë e abuzimit me paratë e qytetarëve nuk kanë fund.
Rikujtojmë se Shoshi u bë i njohur për publikun pas deklaratave të tij kontraverse para popullit të Vlorës se kishte 72 orë pa u larë pasi po punonte në terren për t’u siguruar qytetarëve ujin.
Teksa banorët e kryeqytetit vazhdojnë të presin me dekada atë premtimin legjendar për ujë 24 orë në ditë dhe vazhdojnë të blejnë ujë me bidonë sepse ai i rubinetit nuk përdoret as për larje, Shoshi ka gjetur një prioritet kombëtar! I duhen menjëherë 53 mijë euro, për të hartuar… dy raporte financiare.
Po, e lexuat saktë. Për vetëm dy copë letra! Raportin e Raportimit Financiar të datës 31 dhjetor 2025 dhe atë të 30 qershorit 2026.
Drejtori ka hapur një procedurë prokurimi për t’ia deleguar një subjekti të jashtëm. Arsyeja zyrtare sipas Urdhrit të Ministrit të Financave.
Epo, kur drejton një ndërmarrje modeste me vetëm 1,400 punonjës, ku përveç inxhinierëve dhe faturistëve duhet të ketë edhe njerëz që merren me financë, është absurde të presësh që administrata të bëjë atë për çka paguhet. Pse duhet të lodhen ekonomistët e zotit Shoshi kur paratë e taksapaguesve të Tiranës janë aty gati për t’u shpërndarë?
Nëse i hedh një sy tenderit, kupton se nuk bëhet fjalë as për ndonjë auditim të madh e shkencor, por për procedura të dakorduara sipas standardit ISRS 4400.
Një listë e tërë të dhënash operacionale që vetë UKT-ja i prodhon dhe i administron çdo ditë në zyrat e veta. Por Shoshi preferon t’i paguajë dikujt tjetër që t’ia sistemojë ato që vetë punonjësit e tij duhet t’i kenë në tryezë çdo mëngjes.
Në fund të ditës, të gjitha këto fatura që Flauers zhulsi hap paguhen nga tarifat dhe taksat e qytetarëve të Tiranës.