Nga cigarja te kanabisi: Adoleshentët ndryshojnë, ekspertët paralajmërojnë rreziqet

Nga cigarja te kanabisi: Adoleshentët ndryshojnë, ekspertët…

Eksperimentimi me substancat te adoleshentët duket se po merr forma të reja. Nëse më parë cigarja konsiderohej shpesh si hapi i parë drejt kuriozitetit për duhanin, sot vëmendja e të rinjve po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt kanabisit.

Ajo që dikur mund të niste me një cigare të marrë fshehurazi, sot mund të nisë me një cigare të mbushur me kanabis. Paralelisht, kurioziteti i adoleshentëve shtrihet edhe te produktet e reja të duhanit, të cilat në disa raste përdoren të kombinuara me kanabis.

Ekspertët ngrenë shqetësimin për pasojat e ekspozimit të hershëm ndaj kanabisit, veçanërisht për faktin se truri i adoleshentëve është ende në zhvillim. Përdorimi në moshë të re lidhet me vështirësi në vëmendje, kujtesë dhe të nxënë, ndërsa mund të ndikojë edhe në shëndetin mendor. Rreziku konsiderohet më i madh kur konsumimi nis në moshë më të hershme dhe përsëritet më shpesh.

Një tjetër faktor që po ndikon te të rinjtë është presioni i grupit. Në rrjetet sociale dhe në rrethe të caktuara shoqërore, përdorimi i kanabisit mund të paraqitet si një mënyrë argëtimi apo si pjesë e një imazhi “cool”. Adoleshentët që e konsumojnë mund të ndihen më të pranuar nga grupi, ndërsa ata që refuzojnë mund të përballen me përjashtim apo bullizim.

Ky presion e bën situatën edhe më shqetësuese, pasi jo çdo adoleshent që provon kanabisin e bën domosdoshmërisht nga dëshira personale. Në disa raste, ndikimi i shoqërisë mund të jetë vendimtar, duke e bërë të vështirë refuzimin.

Në këtë realitet, roli i familjes në edukimin dhe orientimin e fëmijëve bëhet edhe më i rëndësishëm. Komunikimi i hapur, informimi dhe vendosja e kufijve mund të ndihmojnë në përballimin e presionit të bashkëmoshatarëve dhe në parandalimin e sjelljeve që mund të dëmtojnë shëndetin e adoleshentëve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit