Një situatë e vështirë me zjarret vijon në rrethin e Mallakastrës, ku dhjetëra efektivë zjarrfikës dhe punonjës të Emergjencave Civile po përballen pa pushim me flakët në masivin pyjor Lofkënd–Ngraçije. Terreni i thyer malor nuk lejon ndërhyrjen e mjeteve motorike, duke e kthyer operacionin në një betejë të vështirë.
Në mungesë të mjeteve që mund të depërtojnë në zonat e thella, “arsenali” për neutralizimin e zjarrit mbetet tradicional, lopata dhe kazma. Me këto mjete në duar, efektivët hapin vija për izolimin e flakëve dhe përpiqen të frenojnë përhapjen e tyre, ndërsa zjarri vijon të djegë masivin pyjor.
Në një kohë kur flitet për propagandë, mjete moderne, teknologji dhe ndërhyrje nga ajri, në terrenet e thepisura të Mallakastrës beteja me flakët po zhvillohet me mjetet më të thjeshta të mundshme. Lopata dhe kazma janë kthyer në “mjetet speciale” që po përdoren për të neutralizuar zjarrin, ndërsa zjarrfikësit dhe punonjësit në terren vijojnë punën mes vapës, tymit dhe lodhjes.